Kapetani i Polifonisë Kiço Kapetani (video)

- Advertisement -

E tërë jeta e tij ishte art.
Ai ishte një burrë i urtë, i mençur e i bukur, një personalitet i këngës dhe i artit.
Kiço Kapetani, për kontributin e tij në këngën polifonike, njihej ndryshe edhe si “Kapedan i Polifonisë”. Të paktën 70 vjet të jetës së tij 90-vjeçare, i kishte të lidhura me këngën dhe me skenën.
Kiço Kapetani ka kënduar dhe ka qenë korife i këngës një jetë të tërë.
Por jeta e tij nuk ka qenë këngë. I lindur në vitin 1928 në Nivicë të Sarandës, u rrit dhe u burrërua para kohe, pasi iu desh t’i bëhej krah ekonomisë familjare qysh në moshë të vogël. E nisi me punë bujqësore në fshat, ndërsa kur ishte vetëm 11 vjeç, erdhi në Sarandë dhe bëri kamarierin në një nga lokalet e kohës.
Fati i rezervoi që ai të provonte kampet gjermane të përqëndrimit. Në Sarandë u kap nga pushtuesit gjermanë dhe u transportua me destinacion për Mathauzen. Por në Selanik të Greqisë, u bë përzgjedhja moshore. Duke qenë më pak se 16-vjeç, u la i lirë. Por këtë liri e shijoi të shoqëruar me sakrificën e kthimit me këmbë nga Selaniku në Sarandë, ku rinisi punën e kamarierit.
Donte të bëhej njeri i lapsit dhe iu dha ky shans duke ndjekur një kurs për llogaritar në Gjirokastër. Më pas e plotësoi arsimimin në këtë fushë, duke mbaruar shkollën e mesme ekonomike, po në Gjirokastër.
Jeta e zyrtarit për Kiçon ishte jeta e llogaritarit. Por më shumë se sa i lapsit, ai u bë i njohur si Njeri i Këngës.
Shkolla e tij kanë qenë grupet, skenat dhe Festivalet e Polifonisë. Në to ai tregoi se sa brilant ishte si marrës i një numri pa fund këngësh, duke filluar nga dashuria e tij më e madhe: kënga për Kapedan Jano Kumiun, të cilën mund ta shijoni në videon e mëposhtme. Kiço Kapetani ishte protagonist i grupeve polifonike, me të cilët Saranda përfaqësohej në Festivalet Kombëtare. Është Laureat i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës dhe për këtë është nderuar me urdhëra e medalje të larta.
16 Vite më parë Saranda e futi në fondin e vlerave të shndritshme të saj, duke e bërë “Qytetar Nderi”. Saranda e nderoi, e futi në panteonin e vlerave të veta, pasi e tërë jeta e Kiço Kapetanit është nderuese për këtë qytet. Kiço Kapetani është një trashëgimi e vyer që do t’i mbetet brezave. Zëri, kënga dhe mjeshtëria e tij, dashuria dhe marrëdhënia e tij me këngën, është një model që do të jetojë gjatë në brezat e sotëm e atyre që do të vijnë. Presidenti i Republikës z. Ilir Meta i dorëzoi titullin e lartë “Naim Frashëri”, vajzës së tij Marjana Kapetani. Si intepretues i spikatur Kiço Kapetani (pas vdekjes), u dekorua me Titullin “Naim Frashëri”, me motivacion:“ Në vlerësim të kontributit të spikatuar në interpretimin dhe lartësimin e këngës polifonike. I dalluar në rolin e marrësit për talentin dhe interpretimin e shquar, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës polifonike sarandjote”.

Nga Thoma Nika

 

 

 

 

 

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...