Tonin Tane, violinisti virtuoz i familjes Tane

- Advertisement -

Tonini lindi dhe mori edukim muzikor në një familje ku të gjithë ishin muzikantë. Babai i tij, Mete Tane, ishte violinë bazë e sazeve të vjetra të Delvinës të viteve ‘40 – ‘70 të shekullit të kaluar. Xhaxhai i tij, Lete Tane ishte violinë e parë e Asamblit të Ushtrisë dhe ka dhënë koncerte në BRSS, Korenë e Veriut,Kinë dhe në vëndet e Evropës Lindore. Grupi i sazeve ku Metja bënte pjesë, ka realizuar një sërë inçizimesh në Radio Gjirokastra dhe Radio Tirana. Më të njohurat janë inçizimet e vitit 1961, rreth 40 pjesë muzikore, të cilat fatmirësisht i kanë mbijetuar kohës dhe sot gjënden në qarkullim. Në mjaft nga këto pjesë evidentohet loja në violinë e Mete Tanes. Djali i madh i tij, Kujtim (Bujo) Tane, luante në klarinetë, kurse djali tjetër, që ishte dhe më i shquari i vëllezërve, ishte Edmondi ( Mondi), që luante shumë bukur në klarinetë, saks, trompë, por edhe kompozonte. Në vitet e monizmit ai luante me virtuozitet me orkestrën në Hotel “Arbëria” për të debutuar më vonë te Hotel “Dajti”,i cili ishte vendi ku luanin instrumentistët më të dëgjuar të vendit. Pas viteve ‘90, si edhe shumë shqiptarë të tjerë emigroi jashtë vëndit në Zvicër, Austri, Kosovë, ku qëndroi për një periudhë 5-vjeçare për t’u kthyer mandej në atdhe. Jashtë vendit ai shkëlqeu me interpretimet e tij Live, nëpër bare apo koncerte të ndryshme, që organizoheshin. Djali i vogël i Metes ishte Tonini, një muzikant i lindur, një violinist i talentuar, violinë e parë e sazeve popullore të Delvinës. Interpretimi i tij ishte plot mjeshtëri, një virtuoz i vërtetë. Mbi telat e violinës ai derdhte gjithë shpirtin e tij prej artisti të vërtetë. Violina bëhej një me të, me trupin, gishtrinjtë, fytyrën e qeshur, zërin e bukur, pra gjithçka ishte në sintoni të plotë. Ishte tepër ekspresiv kur luante, improvizonte, sidomos kur luante kaba baritore dhe imitonte zërin e bilbilit. Po të mos ta shihje kur luante, kur dëgjoje meloditë që Tonini luante të dukej vetja sikur ishe në një lëndinë ku dëgjoje zërin e ëmbël dhe të bukur të bilbilit. Ky ishte Tonin Tane, mjeshtri që Delvina nuk ka për ta harruar kurrë. Pas viteve ‘90 ai shëtiti me violinën e tij nëpër koncerte të ndryshme në sheshet dhe sallat e Greqisë, Francës, Indisë, Spanjës e vende të tjera duke korrur suksese dhe duartrokitje pa fund të spektatorëve që e ndiqnin. Tonini interpretonte pjesë instrumentale klasike, sidomos Çardash që e qante, por edhe muzikën popullore të tabanit, sazet, këngët e Çerçiz Topullit, Selam Musait e shumë të tjerëve. Ai edhe luante në violinë por edhe njëkohësisht këndonte.
Fatkeqësisht si Mondi dhe ai u larguan nga jeta në një moshë të re. Sarandalife.al në kujtim të këtij virtuozi ka përgatitur një video në të cilën shpaloset madhështia e këtij muzikanti të sazeve popullore të Delvinës.Ju ftojmë ta ndiqni me kënaqësi duke ju uruar dëgjim të këndshëm.

/sarandalife.al/

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...