Zbardhet skema e tjetërsimit të pronave në bregdetin e Jalës. Një grabitje e pastër përmes falsifikimeve dhe trafikut të influencave politike të qeveritarëve, ku shtëpia prej 98 metrash katrorë dhe trualli i oborrit të saj 578 metra katrorë në Jalë të zotëruara ligjërisht prej zotit Lorenc Koljaka i kanë kaluar në pronësi me 10 janar 2019, Teodor Dhespotit, Alma Dhespotit, Monda Mëhillit, Sonila Mëhillit dhe Spiro Mëhillit me anë të dy vendimeve të një pas njëshëm të drejtorisë së ALUZINI-t në Vlorë, edhe pse dokumentet mbi pronësinë e vertetë tregonin krejt të kundërtën.
Kështu nga shkresat rezulton se zoti Lorenc Kolja ka arritur të trashëgojë pronën në fjalë bazuar në dëshmitë e trashëgimisë që datojnë që nga viti 1977, me testamentin e lëshuar në Korfuz nga pronari i parë Kiço Koço dhe të njohur nga noterët e kohës së komunizmit.
Po ashtu dëshmitë e trashëgimisë janë lëshuar edhe në vitin 2004 nga Gjykata e Vlorës në 2004, ndërkohë që pronësia vërtetohet edhe nga leja e ndërtimit marrë nga Spiro Koco në Bashkinë Himarë për riparimin e çatisë në 2008. Vit në të cilin ka ndërruar jetë trashëgimlënësi i Koljakës, Spiro Koço, i cili ka banuar aty deri në ditët e fundit të jetës. Pas vdekjes së Spiro Koço, posedimi i pasurisë i kaloi zotit Lorenc Koljaka, por ai nuk ishte rezident i përhershëm.
Në vitin 2019 Koljaka njoftohet se banesa e tij është shembur dhe se mbi atë truall kishte nisur të ndërtohej një hotel. Firma ndërtuese është kompania “Jala Investment”, 60 përqind e së cilës është në pronësi të kompanisë ANDI, e zotëruar nga kushërinjtë e parë të Damian Gjiknurit, Andi dhe Adriana Gjiknuri. Për të arritur në këtë moment, kompanisë “Jala Investment” i është dashur të lidhë kontratë sipërmarrjeje me Teodor Dhespotin, Alma Dhespotin, Monda Mëhillin, Sonila Mëhillin dhe Spiro Mëhillin, të cilët në janar të 2019 kanë përfituar nga drejtoria e ALUIZNI-t në Vlorë, shtëpinë dhe truallin e Lorenc Koljaka. Ata kanë paraqitur tek ALUIZNI shkresat e ligjit 7501, i cili në fakt nuk ka lidhje me procesin e legalizimit, aq më tepër kur bëhet një objekt që ka ekzistuar aty që nga viti 1937, dhe i njohur nga aktet juridike të kohës së diktaurës dhe viteve të demokracisë.
Shkelja e parë është se me ligjin 7501 nuk përfitohen objekte, aq më tepër ato ekzistuese, sepse ato kanë qenë të detajuara në aktet e dhënies së tokës në përdorim, ndërsa shkelja tjetër është se shtëpia është ndarë në dy pjesë për t’u legalizuar. I gjithë ky operacion kriminal është bërë me qëllimin e vetëm për të përfituar sa më shumë truall nga procesi i legalizimit. Duke e ndarë shtëpinë në dy pjesë të barabarta nga 48 metra, janë përfituar 578 metra katrore truall, ndërsa nëse do legalizohej një objekt do të kalonin vetëm 300 metra katrorë. Vendimet mbajnë firmën e drejtorit të atëhershëm të ALUIZNI-t në Vlorë, Ardian Musta.
Ka pasur kontratë furnizimi me energji, është marrë një leje ndërtimi për riparimin e çatisë nga bashkia Himarë në vitin 2008, sic shihet dhe nga dokumentat, si dhe vërtetimet e kryepleqësisë në fshatin Vuno të 1993 dhe 1995, por asgjë nuk është marrë parasysh. Nga ana tjetër drejtori i ALUZNI-t, sigurisht nuk ka qenë njeri i panjohur për drejtuesin politik të Partisë Socialiste në Vlorë, Damian Gjiknurin. Dhe fakti që përfitues final i kësaj prone është një kompani ku aksionerë kryesore janë familjarët e tij, e bën të gjithë operacionin e tjetërsimit të pronës shumë të dyshimtë. Ndërkohë punimet në Jalë vazhdojnë, pavarësisht kallëzimit penal.
/BallkanWeb/