Rrapet në “Vendin e thëllëzave” Muzinë

- Advertisement -

Muzina, vendi i ngritur në këmbët e malit Stugarë, ose “Anil”, siç i thonë muzinjotët, është emri më i dëgjuar në Shqipëri, falë vendkalimit në pikë – takimin e dy maleve:Sopotit (Mali i Gjerë) dhe Stugarës, që njihet si “Qafa e Muzinës”. Por jo vetëm për këtë: Është dhe legjenda e “Gjarprit-Kuçedër”, që fshihej në barkun e “Malit të Gjerë” dhe që, për të shuar zjarrin në barkun e tij, thirri në turavrapin poshtë luginës, “nënën det dhe motrën Bistricë” duke i dhënë në shekuj Muzinës “pasaportën” e njohjes jo vetëm brenda por dhe jashtë vendit.
Muzina njihet edhe si “vendi i thëllëzave”, apo “vendi i erërave të forta”. Janë të njohura thëniet në përgjigje të pyetjes “nga je?”, që në verë muzinjotët përgjigjen: ”andej nga këndon thëllëza” dhe në dimër :”nga e shkreta Muzinë”!
Muzina njihet edhe si vendi i qershive,i gështenjave, i vreshtave dhe ullinjve, por edhe si vëndi i zanatçinjve, i njerëzve arsimdashës dhe të zotët e të zëshëm në fusha të ndryshme të jetës.
Muzina në shekuj ka njohur shpopullime për shkak të invazioneve të huaja dhe emigrimeve, por edhe rritje dhe begati në jetën e banorëve. Mbi 150 shtëpi dhe 1000 banorë të regjistruar kishte fshati në vitin 1939. Po sot? Sot, jo më shumë se 70 banorë. Një plakje tragjike në këto vite që ia morën fshatit lëngun e jetës. Veçse në Muzinë ka diçka që ka mbetur aty në vite e shekuj dhe që shfaqet madhështor para syve tanë duke identifikuar fshatin në çdo kohë. Janë rrapet shekullorë në qendër të fshatit, në “Kodër”, te sheshi poshtë shkollës, 850 m mbi nivelin e detit, atje ku kujtimet e muzinjotëve jetojnë dhe nuk mund të shuhen, nuk mund të vdesin. Janë tri rrape, njëri më i madh se tjetri. Në trungun e më të madhit me 1.4 m dhe lartësi 18 m dhe moshë mbi 300 vjeçare ku degët zgjaten e zgjaten drejt qiellit si brirët e një “morrati” shekullor, duke hijëzuar sheshin, atë shesh i cili dikur mblidhte fshatin në dasma e në festa, ishte vendi i lojërave të fëmijëve dhe vend-takimi i të rinjve, i shplodhjes dhe i kuvendit të të moshuarve; një tabelë me mbishkrimin:“MONUMENT NATYRE” të krijon ndjesinë e përjetësisë.
Tekniku i pyjeve në bashkinë e Finiqit, banor i Muzinës, Yllo Zotaj, kujton ditën kur e kishte vendosur atë tabelë te trungu i rrapit, që tre burra vështirë ta pushtojnë me krahët e tyre të hapur.“Nuk e di pse duhet të shënohej vetëm një prej tyre, kur janë tri rrape që hijezojnë atë shesh, janë pothuajse të një madhësie”- thotë Ylloja dhe shton se, që prej asaj dite, gati 10 vite më parë, kur ia dhanë tabelën në ndërmarrje për ta gozhduar te trungu i rrapit, nuk është kujtuar më asnjë që të bëjë një aktivitet atje. Madje as ceremoni “pagëzimi” nuk është bërë. Breza të tërë njerëzish , banorë të Muzinës, kanë ikur nga kjo botë, ndërsa rrapet, vit pas viti dhe nëpër shekuj (të paktën 4 të tillë sipas tregimeve e gojëdhanave) rriten, jetojnë dhe mbajnë të fshehur në memorien e tyre historinë e Muzinës. Si monument natyre mund ta vizitosh gjatë rrugës automobilistike Delvinë apo, Gjirokastër–Muzinë.
Sarandalife.al falenderon Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë,për kontributin e tyre në evidentimin , pasqyrimin, përshkrimin dhe fotografimin e tyre duke na dhënë mundësi neve që të realizojmë njohjen nga shoqëria të këtyre vlerave, natyrore,didaktike, estetike, kulturore dhe turistike.

Panajot Zoto

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...