Policia e Gjirokastrës, konkretisht Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme ka bërë ekzekutimin e Urdhrit të Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për dy persona, njëri noter dhe tjetri avokat.
Burime bëjnë me dije se është caktuar masa e sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasit E. A., 35 vjeç, banues në Gjirokastër (me profesion noter) dhe A. Ll., 38 vjeç, banues në Tiranë(me profesion avokat), të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Gjithashtu ndaj këtyre shtetasve me vendimin e mësipërm të Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, është caktuar masa ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
/sarandalife.al/