Një muaj më parë në ditën e tij të lindjes, në spital, gazetari Thoma Nika shkroi: Ditëlindja në spital e Ambasadorit për Paqe, Skënder Bani

- Advertisement -

Skënder Bani, është më i moshuari ambasador për Paqe, që Saranda ka. Por kjo nuk është e vetmja “më” që ai ka në udhëtimin e tij të jetës dhe të jetëshkrimit si mësues, jo “si gjithë të tjerët”. Duke lënë gjurmë të thella në këtë rrugë, Skënder Bani është, mbase i vetmi, që emrin e tij për së gjalli e ka marrë dhe e mban një shkollë. Ai sot mbush 83 vjeç. I telefonova, për t’ia bërë urimin “live”. -Të falenderoj shumë, por…” dhe zërin ia mbyti heshtja dhe zori. U ndje i prekur, si nga arësyeja për të festuar, edhe nga pamundësia për “ta djegur”. Kjo ditëlindje, e gjeti të shtruar në patologjinë e “Petro Nako”-s dhe dukej se këtë nuk ia “falte” vetes. – Më thuaj në cilën dhomë të gjej, – i thash- dhe qetësohu, se kjo është betejë më e lehtë se ato që ke bërë me analfabetizmin dhe që matematikës i hoqe “maskën” e gogolit dhe e bëre të dashur edhe për “xhorrët”. I telefonova Galia Koçit, që kërkoi vetëm gjysëm ore kohë, sa të tereziste punët në doganën e Qafëbotës. Po kështu, Hamdi Pervizi, la çdo punë të biznesit dhe u takuam si Kryesi e Këshillit lokal të Paqes, për të çuar në një dhomë Spitali, urimet e të gjithëve për ambasador Skënderin. Do të donim të çonim tufën me urime, shoqëruar me një tufë lule, por jo çdo gjë ecën me skenar. Ama “skenari” kryesor funksionoi: Skënderi mbeti i surprizuar dhe i mrekulluar për këtë vizitë, që kishte shumë paqe, shumë nderim e qytetari. E vërteta është që ai u ndje keq që e gjetëm me tubat e serumit nëpër duar. Dhe, duke i harruar ato, u ngrit në këmbë, që të uleshim ne. “Doktori deputet Niko Kuri më ka thënë se nuk do qëndroj dhe shumë në Spital, ju pres në shtëpi në Shelegar”, na tha përzemërsisht Skënderi dhe i prekur që “ia kishim bërë borxh”. Vitet përtej të 80-ave dhe përvoja në mësimdhënie, nuk e kanë penguar, madje e kanë ndihmuar të bëhet mësues i vetvetes dhe të jetë familjar me teknologjinë digitale, të ketë llogari në facebook e ta përdorë atë si dritare informimi e komunikimi, të jetë i gjendur e komunikues në whatsapp e viber. Ja, përshembull, sot kishte parë urimin që i bëhej në faqen e Këshillit Lokal të Paqes Sarandë dhe qe lumturuar edhe nga vërshimi i komenteve në të. Por ndoshta nga emocioni, nuk e gjeti më, pas disa orësh t’i shfaqej urimi. E kjo i dha pak mërzi, e cila rezultoi të ishte e kotë, pasi gjatë vizitës së papritur te dhoma 3-5 e pavionit të Patologjisë, i treguam se postimi ishte atje. Pa me sytë e tij se si urimet për jetë të gjatë e shëndet të mirë të 83 vjeçarit Skënder Bani, kishin dalë nga shtrati, ashtu siç lumi i Bistricës, pak ditë më parë. Këto emocione të forta bënë të dilte nga shtrati i pacientit ambasadorin më të moshuar që ka Saranda dhe të vetmin mësues që e sheh në gjallje emrin e tij, ta mbajë shkolla e fshatit. Atje ku ka dhënë mësim e ku i dha mësim tërë Republikës me “shpikjen” e vet të bazës didaktike, që ua nguli në tru matematikën dhe gjeografinë nxënësve të kohës. Nxënësit e tij janë dhe vetë tani me librezë pensioni, ashtu si Mësues Skënderi. Ky mësues që ka emrin të skalitur në ballinën e shkollës së Shelegarit, sigurisht që detyrën ka bërë dhe rrogën ka marrë. Por e ka bërë me shpirt e me shpirt krijues atë punë. Tregon se si bënin tabela arthimetike, harta me pasuritë minerale, me hidrocentrale, me vendbuirme të naftës etj., ku të gjitha tregoheshin me disa llambushka. Nxënësit që jepte përgjigje të gabuar, nuk i ndizej llambushka. E kjo mbahet mend në breza, siç iu dha si eksperiencë didaktike tërë Shqipërisë nga Shelegari që e bëri të njohur Skënder Bani. “Mblidhinim bimë mjeksore, i kthenim në lekë dhe me to bënim investime modeste, se shteti nuk kishte”- kujton ai. Siç ka të ngulitur në kujtesë edhe vizitën e zëvendësministrit të kohës për arsimin 43 vite më parë, që ishte e rrallë për një shkollë të vogël të një fshati të vogël. Shkolla që sot mban emrin “Skënder Bani”, fshihte atëhere një Mësues me pasion të madh, që u bë emër i madh. Ai nuk ia përton të qortojë për të sotmen, kur sheh që ca prindër i heqin nga fshati fëmijët e i çojnë të shkollohen në qytet. “Doemos, se tani janë mundësitë- thotë Skënderi, por u duket sikur vënë vetulla e nxjerrin sytë, pasi shteti ka investuar dhe në Shelegar nxënës ka më pak e mësimi bëhet më mirë”. Kështu ndodhi që çuam shumë urime dhe morëm shumë mësime. Dhoma e spitalit na u bë si një klasë mësimi nga e djeshmja për të sotmen.

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...