I menjëhershëm ka qenë reagimi i kandidatit për deputet Jolio Dine në zgjedhjet e fundit, ku pasditen e sotme ka përfunduar rinumërimi i votave personale në Qarkun Vlorë. KQZ kishte zgjedhur rastësisht 45 kuti në gjithë Qarkun nga 445 në total.
“KQZ përzgjodhi rastësisht për të rinumëruar vetëm 45 kuti nga 445 që ka Qarku Vlorë.
Rinumërimi nxorri diferenca herë të mëdha e herë të vogla në kuti, por ajo që ka rëndësi është se votat e qytetarëve u prekën. Vullneti i votuesit, të paktën për forcën politike ku unë kandidova, u deformua drejtpërdrejtë nga komisionerët e Partisë Demokratike, të cilët sot nëse KQZ nuk i çon në ndjekje penale, minimalisht duhet të ndihen të turpëruar!
Në rastin tim, edhe pse janë pak, në 45 kuti ose në 10 % të totalit, më ishin vjedhur 7 vota. Koncepti “votë” ndoshta është vërtetë pak, por për mua janë 7 qytetarë të cilët zgjodhën të shkonin në qendrën e votimit për të votuar kandidaturën time. Janë 7 qytetarë më shumë që sot u jam mirënjohës. Por aty brenda është edhe mundi, djersa e shpenzimi im për të takuar, biseduar e bindur këta 7 qytetarë në zona të ndryshme të Qarkut, për të votuar mua në 25 prill.
Do doja që KQZ të hapte më shumë kuti në zonën e Bashkive Sarandë, Konispol, Delvinë, Finiq dhe Himarë (janë hapur vetëm 18), për të parë realisht se shumë më shumë vota të “vjedhura” do të dilnin e për këtë jam shumë i sigurt.
Faleminderit edhe njëherë tashmë 2124 votuesve (zyrtarë) të mi, e ndoshta shumë e shumë të tjerëve, të cilëve vullneti nuk u është lexuar!”, reagon Jolio Dine në Facebook.
/sarandalife.al/
