Në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit Bashkiak pika më e rëndësishme ishte miratimi i projekt buxhetit për vitin 2022, i cili erdhi në këshill pas diskutimit më parë me grupet e interesit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga këshilltarët për probleme të ndryshme si furnizimi me ujë apo për restaurimit të kinoteatrit e pas përgjigjeve nga kryetari i bashkisë, Adrian Gurma, anëtarët e Këshillit Bashkiak miratuan projekt buxhetin për vitin 2022. “Miratuam sot në Këshillin Bashkiak,në unanimitet të plotë, Projekt Buxhetin për vitin 2022. Me miratimin e këtij buxheti ambicioz, krijojmë mundësi të reja, për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve karshi komunitetit, në rrafshin social, arsimor, kulturor e sportiv, rritjen e investimeve në infrastrukturën publike e bujqësore, si dhe përmirësimin e ndjeshëm të ofertës turistike për sezonin e ardhshëm”, bëhet publike në njoftimin e bashkisë.

