33-Vjeçari i arrestuar këtë të mërkurë në Sarandë për dhunë ndaj një efektivit të burgjeve është Edmond Abazi. Ai ndodhej në paraburgim pasi ka rënë në pranga një muaj më parë për dhunë në familje, ndërsa mban mbi vete rekord të veprave penale.
Abazi është emër i njohur për Policinë dhe drejtësinë në Sarandë, i cili ka përfunduar sërish në burg për shkak se ka goditur një gardian të burgut në rrethana ende të paqarta por dyshohet paraprakisht se për arsye banale. Mësohet se rasti është proceduar si goditje për shkak të detyrës ndërsa për ngjarjen është ngritur edhe një grup hetimor. Arrestimi i tij u bë nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë. Edmond Abazi njihet dhe me pseudonimin “Monçja”. Më parë ai është proceduar dhe arrestuar për “plagosje të rëndë”, “armëmbajtje pa leje”, “vjedhje”, “shkatërrim prone”, “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “dhunë në familje”. Abazi ndodhej prej një muaj në paraburgim, pasi kishte dhunuar nënën e tij. Ai u denoncua nga e ëma për dhunë pasi e kishte goditur me grushte dhe shkelma.
/sarandalife.al/