Krongji, fshati mahnitës për nga bukuria, pasi natyra i ka falur gjithëçka, ajër, gjelbërim e pemë frutore të shumëllojshme, por njëherazi fshati që sot jetohet vetëm nga të moshuar, më i riu 73 vjeç.
Deri në vitet e para të tranzicionit në këtë fshat jetonin mbi 150 banorë, pra 50 shtëpi, por me hapjen e kufijve, fshati është tkurrur, e sot numërohen 25 të tilla. Këtu tashmë banojnë vetëm të moshuar, pasi të rinjtë janë larguar për një jetë më të mirë, drejt Greqisë apo në Gjermani, për të mos u kthyer më. Nuk të kap syri njerëz nëpër rrugica, nuk dëgjohen të qara fëmijësh,vetëm cicërimat e zogjve e lehjet e qenve, që vijnë nga ato pak shtëpi që kanë mbetur dyerhapur. Nuk ka dyqane tregtare, as kafene, apo furrë buke. Falë një mjeti transporti që ësht vënë falas nga bashkia e Finiqit në sherbim të tyre një herë në javë, që ata të pakët banorë të mund të plotësojnë kërkesat e tyre jetësore duke zbritur në Sarandë për t’u furnizuar. E ndërsa nuk ngurojnë të tregojnë për jetën e përditshme në sytë e tyre lexohet qartazi vetmia.
Krongji është panorama e shumë fshatrave, kryesisht në minoritet, larg zonave urbane, ku shpopullimi është realitet. Sot që po transmentojmë këtë material filmik, nuk jeton protagonisti i reportazhit , Jorgo Papa, familjes së të cilit sarandalife.al i shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Nga Shpresa Dine
