Ikin ditët, muajt… por Ai, krijuesi Agim Mato, do të kujtohet përherë

- Advertisement -

Sa më shumë ikin ditët, muajt… aq më shumë na mungojnë njerëzit e mirë, me vlerë dhe me horizont. Këtë e shpreh bukur dhe me ndjenjë në radhët e tij në fb “Monolog me “ kriminelin” Agim Mato”, gazetari Thoma Nika për poetin, krijuesin, “ Mjeshtrin e Madh”, Agim Mato.

MONOLOG ME “KRIMINELIN” AGIM MATO

“Shtyva derën dhe mbeta i shtangur. Ishte e para herë që këndi i tij i punës m’u duk një humnerë e madhe. Karrigja rrotulluese-e ngrirë në palëvizje. Kompjuteri – i hapur, i mbetur në një faqe ëordi. Projekte të hapura, të mbetura në letër. Skica për kopertina librash, të pazhvilluara. Raftet e ngarkuar të bibliotekës së zyrës, me titujt më të dashur, të mbetur pa lëçitësin e ngarkesës së tyre.
Në vend të gjallesës së Agimit poet të detit, të aromave dhe shkulmeve të jetës, gjeta portretin e tij, me të gjitha linjat e nevojshme për të kuptuar shumë më shumë se sa shoh.
Portreti i tij si i gdhendur. Me shikimin depërtues shikon për nga thellësitë, duke anashkaluar sipërfaqet. Në të njëjtin vend ku gjeja atë vetë, për të parën herë, ai më foli me heshtjen dhe me mungesën e tij, nga ajo minikavaletë, ku edhe ai vetë, jam i bindur, nuk do të zgjidhte një tjetër.
U ndjeva bosh, tërhoqa derën fort dhe dola, duke mos e pranuar dot të vërtetën e hidhur. Mbaj mend se diçka si sharje mërmërita për fatin e pamerituar dhe për mungesën e pajustifikuar, që na ka lënë mes nesh.
Linjat e portretit që lash në zyrën zbrazëtirë, m’u bënë si përrua mendimesh e det kujtimesh që pata me atë njeri, me të cilin rrugët, pasionet dhe profesionet, na takuan jo pak.
Sikur të isha duke parë një dokumentar, më parakaluan dekadat e jetës së Agim Matos.
Emri i tij ishte bërë shumë i njohur dhe shumë i dëgjuar për poezinë meditative me motive jugu, kur unë isha ende gjimnazist. Ishte mësuesi plotësues i letërsisë jashtë klase. Më fliste me thjeshtësinë dhe përvojën e një mjeshtri për poezinë dhe si strukturohet një tregim.
Kujtova sa herë iu hoq e iu rikthye e drejta e botimit, për atë “kleçkën” e stisur në biografi. Sa herë talenti i tij vërshonte dhe përmbyste urdhërat e vendimet e nomenklaturës që atij t’i ndalohej botimi.
Kujtova sa herë m’u desh të merrja rrugën e ta gjeja në atë kthinën si studjo të disenjatorit të ndërmarrjes që quhej e Grumbullimit të prodhimeve bujqësore. Kujtova lutjet që i bëja për të sjellë në gazetën ku isha redaktor, reportazhin e tij, se e dija që do të ishte plot jetë e frymëzim.
Fati e desh që, rreth viteve ‘90, të ishim në të njëjtën zyrë të redaksisë. Kujtova se si ishim.“bashkëaksionerë” në sprovën e përsëritur për ta zbritur nga muri e për ta futur në sirtar portretin e diktatorit. E bëmë këtë një ritual që kthehej në humor. Kjo bëhej shkak që kryeredaktori të shpeshtonte “vizitat” në zyrën tonë dhe, sa herë gjente gozhdën bosh dhe jo portretin, na përsëriste: “vendoseni ku ishte, se do t’ju qortoj keq”.
Në kohët kur “kriminelët” e diktaturës dolën në liri dhe në vend të hakmarrjes ofruan paqe, Agimi u thoshte të gjithëve “kriminel”. Kështu ndodhi që kjo fjalë i mbeti si nofkë identitare. Kushdo që do të kërkonte të merrte shërbim kancelarie në studjon e kthyer shpejt në Shtëpi Botuese “Milosao”, apo që donte kompetencën absolute dhe vulën e të parit përkthyes zyrtar të italishtes, thoshte: “do vete te krimineli”.
E kujtova si ndër të parët sipërmarrës në vend, që riskoi e guxoi të ngrerë biznes në fushën e shtypshkrimit dhe kancelarisë. Si kapital themeltar shërbeu shtëpia e shitur, për të banuar si qeraxhi.
E kujtova si nga të parët që solli në Sarandë programin e PD-së dhe, megjithëkëtë, ndenji jashtë saj. Natyra e tij e spikatur intelektuale dhe qetësia e ardhur prej kulturimit, e afruan më shumë me PSD-në, por edhe atë flamur nuk e tundi gjatë. “Partitë janë të vogla për të nxerë popullin, ne jemi popull”, e dëgjoja të më thoshte.
E kujtova Agimin unikal si njeri të dijshëm e njëherësh kundër rrymës. Në ato kështjella dijesh, nuk ndjehej aspak keq dhe tërë jetën u mjaftua me atë dëftesë pjekurie që kishte nga “Hasan Tahsini”. 30 vjet do të mjaftonin për të marrë mbase 30 diploma të merituara e të tejkaluara universitare. Por Agimi nuk ishte nga ata që e turpëronte mospatja e një diplome. Asnjë pikëtakim me ata që nxituan “t’i hidhnin xhepit” një diplomë, për të rritur artificialisht rangun social. Kujtova Agimin neveritës për diplomat e blera dhe shpërfillës për ata që e dinte se kishin kaluar nga kjo rrugë.
Pasioni i tij ishte ai i krijuesit plot ndjeshmëri, plot ngacmime, plot talent dhe projekte krijuese, që nuk i linte pa i kthyer në punë , të cilat sot janë asete për ne. Poezia, piktura, kritika, përkthimi nga italishtja apo në italisht dhe botimi, ishin të gjitha “zeje” që i bënte me dashuri.
Kujtova se ishte ai që i dha prestigj të ri Klubit të Krijuesve “Jonianë” dhe projektoi i pari që Saranda të bëhet çdo vjeshtë vendi i bujtjes së poetëve nga bota.
Kujtova se si këtu e 20 vjet më parë ai u bë “kumbari” i binjakëzimit me Riccionen, qytetin simbol të turizmit italian. Do të sillte këtu komunarë, artistë dhe guidues të hidroplaneve në detin e Sarandës.
Si fryt i bukur i intelektit dhe dashurisë që investoi, erdhi edhe kanali televeziv “Riviera Televizion”, që i dha Sarandës, formatuar me vizionin e tij, nga emrat më selektivë të gazetarisë vendore.
Kujtova “ftesat” e shpeshtuara vitet e fundit, që i vinin nga bota e përtejme: kaloi “zjarrin e natës”, por “xhongloi” për bukuri me të.
Kujtova ditën kur Dori më dha lajmin më të rëndë për një të keqe, me fund të hidhur. Mallkova fatin dhe mbaj mend se fjala nuk më doli. Kujtova se si asaj sëmundjeje ai i qëndroi me stoicizmin e njohur dhe me rezistencën e heshtur. Dori më tregonte se si mjekimin ia jepnin, por paketimin ia fshihnin, për t’ia mbajtur të fshehtë diagnozën e vërtetë, duke i hequr mundësinë e eksplorimit në google. Sëmundja fatale i rëndoi këmbët, i rralloi ecjen në shetitoren që ndërtohej. Rezistoi, por fundi erdhi shpejt.
Dialog nuk bëjmë dot më. Por monologu me “kriminelin” Agim Mato na shoqëron e do të na shoqërojë”.

Thoma Nika

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...