Dita eshtunë shënoi vizitorët e parë për këtë vit në Manastirin e Shën Triadhës në Kardhikaq. Më 7 Janar portali ynë sarandalife.al, postoj një material për Ujvarën dhe Manastirin e Shën Triadhës në afërsi të fshatit Kardhikaq, si një destinacion i rëndësishëm turistik, që ja vlente ta vizitoje. Protagonist këtë herë do të bëhej grupi “Aventurë në natyrë”, i përbërë nga gra dhe vajza sarandiote të cilat janë shumë aktive në veprimtaritë e tyre argëtuese dhe kalitëse si ushtrimi i notit për një periudhë të gjatë të vitit, palestër, zumba me koreografin Fatmir Saraçi, yoga, ecje të lirë, Hiking etj.


Një pjestare e grupit na thotë që kishte lexuar shkrimin tonë për Manastirin dhe i propozon grupit, për ta eksploruar këtë monument kulture, propozim që gjeti mbështetje.


Kështu nën drejtimin e organizatorëve të guidave të kësaj natyre si Marjol Sotiri, Leonidha (Leo) Mako dhe Majlinda Haska, Elena Stefani, u nisën me makinat e tyre nga Saranda, nëpër rrugën Delvinë Kardhikaq, deri në fshatin Kardhikaq. Rruga nëpër të cilën udhëtuan nga Delvina deri në fshat ishte e dëmtuar, gjithsesi grupi mbërriti në destinacion në një ditë shumë të bukur me diell që të ngrohte së tepërmi, tamam sikur ishte një ditë pranvere. Grupi i përbërë nga 13 vajza e gra, filluan ngjitjen për në destinacion nëpërmjet një rruge të përshtatshme deri në majën e kodrës së lartë ku gjëndet Manastiri. Pasi bënë një vizitë brenda në Manastir ku u mrekulluan me afreskët muralë, që zbukuronin nga brënda ndërtesën, grupi vazhdoi ta shijonte kënaqësinë duke u argëtuar rreth një zjarri që ata ndezën dhe shijuan ushqimin që kishin marr me vete.




Vlen të theksohet që me grupin ishin edhe dy fëmijë. Më pas grupi filloi ngjitjen për në Malin e Gjërë për rreth një orë. Sipas Marjol Sotirit me këtë grup, por edhe me të tjerë ai do të planifikojë udhëtime në destinacione turistike. Ai na zbulon dhe destinacionin e rradhës që do të jetë Milea dhe më vonë “Maja e Shqiponjës”, ose Çuka e Ajtojit e nxitur dhe nga postimi I portalit sarandalife.al para disa ditësh.


Sipas organizatorit Leonidha Mako kur grupi zbriti nga Manastiri në rrugën automobilistike dhe po hidhte një valle, afrohet një burrë i moshuar i zonës që u gjënd rastësisht atje, pasi kulloste bagëtinë pranë shtëpisë së tij, që ishte shumë i përmalluar. Pse loton, e pyeta burrin,(na tregon Leo). Po ja , ju përgjigj plaku, u kënaqa që pas shumë kohësh pashë kaq shumë njerëz në këto anë, pashë fëmijë që luajnë përpara shtëpisë time. Unë flas në telefon me fëmijët, por është shumë ndryshe kur i sheh nga afër, të lutem më bë sa më shumë foto dhe video që tja dërgoj fëmijëve të mi. Për ngjitjen nga Kardhikaqi deri ne Manastir, skrepi ka bërë punën e parë bazë duke çarë anën e malit, gjithsesi rruga është e kalueshme vetëm me këmbë e jo me makinë tani për tani, por shpresojmë të bëhet sa më shpejt. Ajo që na bëri përshtypje në Manastir ishte që afresket nuk janë të mirembajtura, por të keqtrajtuara, të harruara dhe fillimi i rënies së çatisë nga ana lindore e saj. Gjithsesi ne mundëm ta tejkalonim trishtimin e harresës së theksuar të kësaj zone duke e kthyer ditën në një kënaqsi, si për ne por edhe për fshatin Kardhikaq. Kështu e mbyll rëfimin e tij organizatori Leonidha Mako.
Eshtë kënaqësi për ne që postimet tona materializohen nga grupe të ndryshme turistike, duke i gjallëruar dhe reklamuar bukuritë natyrore dhe vlerat e monumenteve të shumta kulturore që ka rrethi ynë.
Vazhdoni të ndiqni postimet ne sarandalife.al për të patur sa më shumë informacione..për të provuar atraksione turistike të zonës që nuk i dini dhe që të argëtoheni duke i vizituar.
Përgatiti
Mariel Sotiri
Leonidha Mako
Vladimir Kodhelaj
Sarandë 18 Janar 2022



