Njoftimet për masat e reja për ndalimin e pandemisë janë bërë nga ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris , pas sugjerimeve të ekspertëve drejtuar qeverisë. Siç është bërë e ditur tashmë nuk do të ketë masa të ndërmjetme – pra para Vitit të Ri – por do të hyjnë në fuqi nga data 3 janar dhe të paktën deri në datën 16 të muajit. Këtë e bëri të ditur edhe ministri, duke shpjeguar se çdo masë e re para Vitit të Ri do të sillte transferimin e argëtimit në shtëpi, duke sjellë probleme më të mëdha.
Masat e reja janë si më poshtë:
– Përdorimi i detyrueshëm i maskës së mbrojtjes së lartë ose maskës së dyfishtë në supermarkete, MMM dhe stafin e restoranteve.
– Për argëtim dhe darkë do të ketë orë deri në mesnatë, me gjashtë persona për tavolinë dhe distanca metrike. Në këtë fazë lejohet muzika, dhe të respektohen rregullat.
– Në stadium kapaciteti është 10%, me maksimum 1000 persona .
– Testi PCR do të kërkohet për të vizituar institucionet e kujdesit për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.
– Do të aplikohet telepuna në sektorin publik dhe privat deri në 50%.
Sipas zotit Plevris, mutacioni Omicron është në rritje, kryesisht në rajonin e Atikës, pa një ndikim të rëndësishëm në shtrimet në spital.
75% e rasteve janë nga mosha 20 deri në 59 vjeç. Vetëm 6% janë mbi 60 vjeç. Ministri i Shëndetësisë u bëri thirrje të rinjve që të shmangin kontaktet me të afërmit e moshuar ose ta bëjnë këtë me shumë kujdes.
Ai po ashtu vlerësoi se në ditët në vijim do të shohim rritje të mëtejshme të rasteve dhe shprehu shpresën se ato nuk do të ndikojnë në funksionimin e SHSK-së.
