Vedat Beqi, gjinekologu emblemë i bregut të detit , mbresa të pashlyeshme

- Advertisement -

Sa herë përmendim një mjek gjinekolog, na shkon ndërmend një lindje, një njeri që vjen në jetë, apo një nënë që ka kaluar një rrezik dhe mjeku i ka shpëtuar jetën. Me doktor Vedat Beqin mua nuk më ka lidhur asnjë nga këto raste. Ne kishim një miqësi të tjetër lloji, miqësi intelektualësh. Ai ishte drejtor i maternitetit të Sarandës dhe unë korrespodent i gazetave qëndrore. Saranda e viteve ’70 ishte një qytet i vogël, kufizohej prej Portit e mbaronte gjer tek hotel “Butrinti”. Mjafton të dilje për një shetitje buzë detit, në mbrëmje dhe do të takoje këdo që të dëshiroje, sidomos zyrtarët dhe intelektualët. Kështu, kur unë gjendesha me shërbim në Sarandë, nuk e kisha vështirë të takoja miqtë e mij, midis të cilëve doktor Vedat Beqin. Ai ishte kryemiku. Fshati im, Golëm, ka pasur lidhje të hershme me vendlindjen e doktorit, Borshin. Si të thuash të parët tanë, midis nesh, kishin shtruar me kohë rrugën e miqësisë, kështu bashkëshortja e tij, drejtoresha e Hotel “Butrintit”, Hasija nuk pati ndonjë rol për të na njohur e miqësuar ne të dyve. U morëm vesh me njëri-tjetrin qysh në takimin e parë. Ai ishte lexues i rregullt i shtypit të shkruar dhe i pëlqente të debatonte. Me guxim bënte vërejtje për gjithçka lexonte. Unë e dëgjoja me vëmendje dhe shpesh mbaja shënim. Përvoja, prakticiteti dhe zgjuarsia e tij, ishin për mua pika referimi. Pastaj ai me shumë kujdes dilte në bisedë për gjendjen ekonomike në rreth, varfërinë, sidomos në fshat. Kishte shumë besim tek unë dhe prekte tema të guximshme si klanet, intrigat dhe allishverishet që bëheshin nga zyrtarët e korruptuar. Ai nuk e duronte dot padrejtësinë dhe racizmin e fshehur, por sidomos paaftësinë e kuadrove drejtuese në rreth. Përqëndrohej tek ca tipa që ishin katapultuar nga radhët e klasës punëtore. Ata me injorancën dhe paaftësinë e tyre, i sillnin dëme shoqërisë dhe progresit.
Ishin të shumta rastet ku bisedat tona mbeteshin përgjysmë. Në ato vite mjekët ishin të paktë, sidomos gjinekologët dhe Vedati duhet të vraponte pas çdo urgjence. Ne gjithmonë darkonim në Turizmin e vjetër dhe ai kurrë nuk frekuentonte Hotel “Butrintin” nga që aty ishte drejtoreshë bashkëshortja e tij, Hasija. Nuk i pëlqenin përgojimet të cilat ishin pjesë e qyteteve të vogla. Mbaj mend një mbrëmje, kur në kulmin e bisedës, u gjend aty ambulanca e spitalit dhe shoferi i komunikoi se në një nga fshatrat e Vurgut po ndodhte një lindje e vështirë dhe nëna, minoritare greke, ishte në rrezik jete. Ai nuk tha se jam me një mik, apo në kohë pushimi, por la darkën përgjysmë, duke kërkuar falje dhe iku me nxitim. Të nesërmen e pyeta çfarë ndodhi, pse nuk e solli ambulanca nënën e re në maternitet, po duhet të shkonte ai atje. M’u përgjigj kështu:
Të mos kisha shkuar unë, ajo nënë do të vdiste rrugës, do të ishin sakrifikuar dy jetë. Fëmija ishte skiç, duhej kthyer në pozicion normal që të realizohej lindja. Nuk e kam për herë të parë. Rasti më i keq ka qenë kur kam qenë i detyruar të ngrihem nga shtrati në mesnatë, sidomos kur kam qenë i sëmurë e me temperaturë, lëre më në festat e mia familjare të ndërprera përgjysëm. Nuk është i kotë ai betimi i Hipokratit që bën çdo mjek i sapodalë në detyrë.
Edhe kur ecnim për qejfin tonë në shëtitoren buzë detit, plot njerëz e ndalnin, e përqafonin e falenderonin, i kërkonin këshilla dhe atij i duhej të kërkonte falje se ishte me një mik gazetar, ose në rastin më të keq “strukeshim” në ndonjë cep kafeneje ku qytetarët sarandiotë na besdisnin më pak. E pyeta se sa lindje kishte pritur. “Po të llogarit edhe ato kur isha me shërbim në qytetin e Shkodrës, bëhen me mijëra, por ato që lënë gjurmë tek mjeku gjinekolog janë operacionet cezariane dhe lindjet e vështira. Ke të bësh me jetë njeriu. Duhet forcuar puna edukative në Konsultore që ne mjekët të mos kemi aq shumë lindje me ndihmën e kirurgjisë.”, u përgjigj doktor Vedati duke hapur kështu një tjetër temë diskutimi.
Të ndihmojnë njohuritë nga mjekësia e përgjithshme?
Mua më shumë më kanë ndihmuar katër vjet praktikë pasi mbarova shkollën e mesme mjekësore, pastaj vazhdova Universitetin. Në mjekësi duhet të shkrihen njohuritë, praktika dhe leximet e literaturës së fundit. Është një shkencë që përparon me shpejtësi. Nuk duhet të presësh të ta mësojnë në shkollë, por ta kërkosh dhe gjurmosh vetë.
Ju jeni edhe mjek edhe drejtues, si i ndani këto detyra?
Unë asnjëherë nuk jam shkëputur nga misioni i mjekut, shpesh bëj roje nate me dëshirën time. Nuk e ndiej profesionin si një detyrë shtetërore, por si një mision human. Shpërblimi im më i madh janë sytë mirënjohës të nënave kur shpëtojnë nga rreziku dhe në duar mbajnë foshnjat e tyre të sapolindura. Më lumturon lumturia e tyre dhe më zgjat jetën.
Në një rast i propozova të shkruaja në shtyp për punën e tij. Ai u mendua ca, pastaj tha: ”Saranda është qytet i vogël, të gjithë e dinë miqësinë tonë dhe lidhjet midis fshatrave tanë të lindjes, do thonë e ka shkruar me hatër, aq më tepër që ti gjithmonë je bujtës në hotelin që drejton ime shoqe, Hasija, nuk është mirë as për mua, as për ty, le ta shkruajë shkrimin ndonjë tjetër gazetar”. U stepa dhe u mendova ca, kishte të drejtë, qyteti ishte vogël dhe me thashetheme shumë.
Një tjetër temë e bisedave tona, më e zjarrta, më e ndjeshmja ishin temat historike, sidomos e kaluara; i kishte peng reprezaljet e andartëve grekër në 1914 mbi Çamërinë, shpopullimi i saj dhe genocidi mbi popullsinë muslimane të Çamërisë e Kurveleshit ku bënte pjesë edhe vendlindja e tij, Borshi. Në tema të tilla ai e ngrinte zërin, turfullonte dhe numëronte edhe padrejtësitë ndërkombëtare. Më habiti në një rast kur foli për Kepin e Stillos. Ishim në Ksamil nga ku Kepi i Stillos dukej qartë:
E sheh nga varet Kepi i Stillos? – tha duke u drejtuar me gisht – paravijimi i ndarjes së kufijve nga Komisioni Ndërkombëtar ka qenë popullsia dhe rrjedhja e ujërave tokësore. Çfarë rrjedh nga Greku, është e Grekut, çfarë rrjedh këtej, është e jona. Tani shiko Kepin e Stillos, nuk ka fare popullsi greke, rrethohet vetëm me popullsi çame shqiptare. Ujërat rrjedhin këtej kufirit. Të pyes unë pse e ka marrë greku? E di me çfarë justifikim? Se mos e sulmonin Korfuzin shqiptarët. Pikë e zezë, historikisht ne nuk kemi sulmuar asnjë shtet. Ne vetëm na kanë marrë toka dhe djegur shtëpitë.
Më bëri përshtypje ky fakt historik, e dëgjoja për herë të parë. Mjeku Vedat Beqi lexonte jo vetëm literaturë zyrtare, por gjithçka kishte botuar gazeta “Dielli” në Shtetet e Bashkuara të Amerikes. Ai ishte një mjek patriot, mjek erudit, i përkushtuar dhe i palodhur. Në memorien time është një mik i dashur dhe i ëmbël, i qetë dhe i vendosur, duke mos e ndarë kurrë fjalën nga vepra. Më duket sikur e kam përpara syve edhe sot pas dyzet vjetësh. Njerëz të tillë i vijnë rrallë shoqërisë. Brezat pasues, mjekut gjinekolog Vedat Avni Beqi duhet t’i ngrenë një memorial për punën fisnike, maternitetin e parë në rreth dhe shërbimin kudo ku ka ushtruar profesionin e nderuar të gjinekologut. Ai është një mjek emblemë në gjithë Bregun e Detit dhe shembull sacrifice për brezat. I pavdekshëm në memorien e atyre që e kanë njohur, sidomos për mua.
Nga AVDULLA KËNAÇI Kanada, 15 shtator 2021

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...