I gjendur në të majtë të rrugës së re të Lumit të Vlorës, Vranishti priti këtë fundvjeshte Festivalin Folklorik të shkollave 9-vjeçare të bashkive të jugut. Ky festival, nismë e Ministrisë së Kulturës, me mbështetjen e Ansamblit Foklorik “Bejkë e Bardhë” dhe zotit Kristo Çipa, u organizua nga Bashkia Himarë.

Mjediset e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Hysen Cino” Vranisht, u zbukuruan nga ngjyrat e veshjeve popullore të Jugut të Shqipërisë. Siparin e festivalit e hapi drejtoresha e shkollës pritëse, e cila uroi mirëseardhjen gjithë grupeve të shkollave dhe theksoi rëndësinë e mbajtjes së këtij festivali në një zonë që ka histori në ruajtjen e traditave shqiptare foklorike.

Këngët labe me tematika të ndryshme, vallet e kënduara apo ato të shoqëruara me muzikë popullore, ritet e ninullat i dhanë më shumë dritë asaj dite të dielltë nëntori. Festivalin e përshëndeti edhe grupi polifonik i fshatit Vranisht në të cilin spikati vargu “Labëri veshur me këngë”. I tillë ishte mjedisi i krijuar në atë oborr shkolle.

Në fund të veprimtarisë nga juria e Festivalit u ndanë çmimet të cilët u akorduan për nxënës të veçantë të talentuar e çmimi më i madh i festivalit, Çmimi “Lefter Çipa”, iu dha grupit të nxënësve të Bashkisë Delvinë, për të cilët nuk qe çmimi i vetëm i fituar.
Nga ky festival u larguam me përshtypjet më të mira se kënga e vallja jonë e traditës, se ninulla e ritet do të vazhdojnë të këndohen edhe në të ardhmen në këtë zonë të veçantë të quajtur Labëri.


