Plagosja me pistoletë e 27-vjeçarit Tauland Beqiri në 13 gusht në Ksamil, mban prej asaj dite në qeli 28-vjeçarin Edison Vyzaj dhe 24-vjeçarin nga Sri Lanka, Makawitage Kalpa Chethiya Eishvajith Perera Ejiewrdana. Në “Arrest shtëpie” pas daljes nga spitali ndodhet edhe vetë i plagosuri Beqiri.
Ndërkohë të premten më 29 tetor, në Gjykatën e Sarandës është rregjistruar kërkesa e Vyzajt dhe Pereras, të cilët kërkojnë “zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” me një tjetër masë më të lehtë. Shorti për shqyrtimin e kësaj kërkese i ka rënë Gjyqtarit Fatmir Ndreu, i cili duhet ta shqyrtojë brenda pak ditësh nga rregjistrimi i kërkesës.
Sipas policisë “arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në një dhomë hoteli në Ksamil, shtetasi Edison Vyzaj ka plagosur me armë zjarri shokun e tij, shtetasin Tauland Beqiri, ndërsa shtetasi Makawitage Perera ka fshehur armën e zjarrit pistoletë të përdorur në këtë ngjarje. Gjithashtu, shtetasi i plagosur Tauland Beqiri, pasi është dërguar në spital, ka refuzuar të japë gjeneralitetet dhe të tregojë rrethanat e ngjarjes”.
Sipas dosjes hetimore, Edison Vyzaj tregon se plagosja ndodhi nga pakujdesia dhe se nuk kishte në plan ta lëndonte shokun e tij të ngushtë. Autori i plagosjes, Edison Vyzaj ka treguar përpara hetuesve të gjithë kronologjinë e ngjarjes se si ai ka dashur t’i heqë pistoletën nga dora Tauland Beqirajt dhe gjatë tentativës, arma është shkrepur padashje.
/sarandalife.al/
