ODISE KOTE PORTRET I PAAUTORIZUAR   Nga Dr. Irena Gjoni, Promovim i librit “Amerikani”(Video)

- Advertisement -

Në Galerinë e Artit në Sarandë ditën e sotme u organizua një aktivitet i përbashkët i Unionit të gazetarëve dhe Klubit të Krijuesve “Jonianët”, për promovimin e romanit “Amerikani” të shkrimtarit gjirokastrit  Odise Kote. Në këtë veprimtari morën pjesë krijues sarandiot, gazetarë, si dhe Kryetari i Bashkisë së Sarandës z. Anastas Gurma dhe Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës z. Flamur Golemi. Në këtë aktivitet folën dy kryetarët e bashkive të Sarandës dhe Gjirokastrës si dhe krijuesit sarandiot Timo Mërkuri, Hekuran Halili, Irena Gjoni, Bardhyl Bejko, Bardhi Maliqi dhe gazetari gjirokastrit Ëngjëll Serjani. Në fund foli autori i librit Odise Kote. Më poshtë po japim kumtesës e poetes dhe krijueses Dr. Irena Gjoni.

Më vjen mirë që romani i fundit “Amerikani” i autorit Odise Kote, ka Sarandën këtë herë si stacion të radhës, por dhe si stacion të rëndësishëm, përgjatë rrugëtimit të tij. Edhe pse prej pak kohësh në dritën e botimit, ka nisur shumë sukseshëm me sa konstatohet nga mënyra se si është pritur nga lexuesit dhe nga vëmendja që i është kushtuar prej një sërë studiuesish. Të njëjtin interesim e vëmendje vërej edhe sot këtu në Sarandë për autorin e romanin e tij, duke qenë e sigurt që pritshmëritë e lexuesit do të shkojnë paralel me një vepër shumë të arrirë.Këtë garanci për shumë nga ne, e jep njohja e hershme me profilin artistik të Odise Kotes qysh prej gjysmës së dytë të viteve ’90, i cili me botimet e realizuara në atë kohë, u bë një nga zërat më të spikatur jo vetëm në Gjirokastrën e atyre viteve, por edhe më tej. Një profil krijues i kudondodhur në qarqet letrare të kohës duke i dhënë tonin e vet me autoritetin që i jepte pena e tij, pavarësisht moshës së re. Ndaj më gëzon fakti që ashtu siç ishte ravijëzuar atëherë me ato premisa për vijimin e suksesshëm, ashtu ka mbërritur deri sot.     Po përtej romanit “Amerikani” që mund të konsiderohet si roman jete i autorit për vet kohën e gjatë, gati 30 vjeçare që i është dashur për ta sjellë pranë nesh dhe përtej portretit të një lexueseje të hershme, cili është Odise Kote për lexuesit e tjerë?.Ka lindur në Gjirokastër, në këtë qytet që në gjithë korpusin e veprave të tij, do të jetë tabani i tyre, frymëzimi, Muza, panorama, përditshmëria, detaji origjinal, fati i tij, pashmangshmëria e tij e gjithcka tjetër që do ta shoqëronte përgjatë jetës. Formimi akademik i Odise Kotes ka qenë sa në aspektin e letërsisë, aq në atë të gazetarisë përmes studimeve universitare, kualifikimeve pasuniversitare në gazetari e letërsi, studimeve për letërsi të thelluar dhe master shkencor në letërsi. Të gjitha këto do të ndikonin sa në njohjen në thellësi të shkencës së letërsisë për t’i dhënë dorë talentit të tij letrar në vite, po kaq për të sofistikuar sensin vëzhgues të gazetarit, profesion të cilin e ka ushtruar prej 30 vitesh si gazetar në radion gjermane “Deutsche Wele”, radio Gjirokastra, tv Gjirokastra, në media të tjera audio – vizive dhe në shtypin e shkruar.       Ky profesion them se ka ndikuar në letërsinë që ka lëvruar si në stil, si në zhdërvjelltësinë e frazës, si në gjetjen e detajit, si në teknikat narrative të përdorura, si në ruajtjen e sensit të masës përgjatë përshkrimeve etj.. Gjithë ky formim i reflektuar në krijimtarinë e punën e tij e ka bërë të suksesshëm Odise Koten si në gazetari, ashtu edhe në letërsi i cili përmes veprave që ka sjellë në vite që prej vitit 1988 e deri më sot, e ka veçuar si shkrimtar. poet, publicist e gazetar me kontribut në shtypin shqiptar e në letrat shqipe.

Megjithatë, kontributi i Odise Kotes si një qytetar, si një intelektual shumëdimensional, përtej gazetarisë dhe letërsisë, ka qenë edhe në aspekte të tjera përmes funksioneve që ka mbajtur si: Drejtues në Ndërmarrjen e Libër – Filmit, Drejtues i Kulturës e Trashëgimisë në Bashkinë e Gjirokastrës, Nënkryetar i saj, apo Prefekt i Qarkut Gjirokastër. Përvojat e ndryshme kanë ndikuar në vite që të kemi shumë botime të Odise Kotes në zhanre të ndryshme: Ndër botimet e tij përmendim librat: “Orët e mëngjesit”,  poezi, 1989, “Disa poezi”, poezi, 1996, “1997”, poezi, tregime, ese, botuar në vitin 1998, “Ajkuna”, poezi, 2003, “E qeshura pas porte”, roman, 2003, “Vejusha”, tregime, novela, 2009, “Betimi i rremë”, roman, 2010, “Demokratia – tipologji e teksteve publicistike”, gazetareske, 2013, Ura e Margaritës”, roman, 2014, “Performanca”, monodramë, 2015, “Funerali i hijes”, roman, 2017, “Pengje të gurëve”, poezi, 2021, “Biletë për në qiell”, tregime, 2021, për të përfunduar te “Amerikani” roman 2022, i fundit në radhën e botimeve, por besoj do të vijojë me të tjera botime në të ardhmen duke parë penën produktive të Odise Kotes. 

Ky roman i fundit për vet fabulën që trajton dhe mënyrën se si e trajton, grish e kërkon një vëmendje si për lexim, ashtu dhe për studim të thellë, edhe pse sot ravijëzohet sa për prezantim. Diku është konsideruar si një roman realist, diku si realizëm magjik, diku si ekzistencialist ku situatat, mjediset, aspekte të personazheve etj. na shfaqin elemente të absurdit. Pikërisht kjo pamundësi për ta kornizuar këtë vepër në një rrymë a drejtim letrar të përcaktuar, mund të konsiderohet një vlerë e shtuar e romanit që rrjedh natyrshëm duke  u përkujdesur vetëm për të sjellë art të mirëfilltë, çka duket sikur ky është qëllimi i vetëm i autorit. Natyrshmëria e kalimit nga realiteti bërtitës, drejt ëndrrës e magjikes, ku nuk dallohet filli ndarës, e rrëmben lexuesin duke e bërë njëherësh të përfshihet emoconalisht në ecurinë e ngjarjeve e njëkohësisht të zbulojë hap pas hapi çdo mister. Aty ku shfaqet si një sagë, aty vjen si një prozë poetike, aty si një dramë absurde, aty si një frymë e teatrit antik me gjithë tragjiken e shpirtit, apo të fajtorit pa faj, aty lirizmi i shpirtit të dashuruar apo tingujt e muzikës, aty prania e mitit edhe si ekzistencë, edhe si filozofi, edhe si emërtim personazhesh Pandora etj. E shumcka tjetër që gjendet në këtë vepër që josh për një lexim sa në rrafshin horizontal duke rendur drejt subjektit intrigues, sa në rrafshin diakronik për nga thellësia e nëntekstit duke e bërë këtë roman jo thjesht si dëshmi të një kohe, por thekson tejkohësinë në vlerat universale.
Ndaj librit “Amerikani” i uroj rrugëtim të mbarë për të lënë gjurmë të bukura te lexuesit në çdo kohë dhe autorit Odise Kote, penë e Muzë përherë për të vijuar të sjellë vepra të arrira! Faleminderit!

 

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Shkolla “Dea” koncert në Beograd(Video)

Shkolla jo publike ‘Dea” së shpejti me grupin e...

Shkolla jo publike 'Dea" së shpejti me grupin e...

Dita Kombëtare e vajzave në Arsimin Profesional(Video)

Ditën e sotme në kuadrin e Ditës Kombëtare të...