NGA SEJMEN GJOKOLI: DUKA I KËNGËS SË DUKUR (VIDEO)

- Advertisement -
Me këngëtarin virtuoz të Delvinës, Idajet Duka.
Ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç, më saktë në klasën e pestë të shkollës së Bajkajt kur i është dashur të ngjitet në një skenë të madhe.
Në Delvinë bëhej festivali i shkollave të rrethit dhe Ajeti i vogël do të ishte marrësi i një kënge që e kujton edhe sot.
“Lule Mitro komisari”, kështu titullohej kënga që atë kohë sa ishte kënduar nga grupi i famshëm i Bënçës dhe mësuesja e muzikës, Sofika Xuxi, e kishte zgjedhur për ta kënduar nxënësit në festival.
I ka mbetur në mëndje edhe kënga por edhe vlerësimi me vendin e parë që ju dha shkollës, siç kujton me shumë respekt e nostalgji punën dhe pasionin e madh të mësueses së muzikës, bijës së Senicës, për tu mësuar këngën e vendit.
I lindur në fshatin e vogël Kopaçez të Vërrisë fëmininë do ta kalonte në Bajkaj, aty ku familja u shpërngul për të jetuar.
Këtu dëgjoi këngët e para labe por edhe të tjera këngë me iso, sidomos ato të komunitetit vllah që i dëgjonte nëpër dasma e që i kanë mbetur akoma në kokë.
Bajkaj, një vendbanim me banorë nga fshatra të njohura të labërisë e Kurveleshit por edhe me të tjera komunitete kishte një diversitet të tërë kulturor dhe kështu jepnin e merrnin në një harmoni mbresëlënëse, në muhabete, dasma e festa.
Dasmat, sidomos, mbeteshin edhe “skenat” ku sa herë kënga do ti bëntë bashkë e do të ndanin jo vetëm ison por edhe pozicione të veçanta të saj ndërkohë që ato ishin edhe “magjet” ku mbruhej për të ardhmen trashëgimia e këngës.
Këtu u ushtrua së pari këngëtari i ardhshëm Ajet Duka, djaloshi që shumë shpejt do bënte ti vinin veshin jo vetëm dashamirësit e këngës labe e labët nga do që u delte përpara kënga e tij por edhe specialistë e ustallarë të njohur të këngës folklorike.
Ajeti këngët e para i këndoi me Neim Seferin nga Picari, shoku i tij i feminisë, ai ja kthente, hedhësin e këngës Eduart Faslliu nga Golëmi po edhe të vëllanë Krenarin e të tjerë bashkëmoshatarë të kohës.
Me pasionin e dshurinë për këngën do ti përcillte edhe vitet e rinisë, vitet e shkollës së mesme por edhe ato të shërbimit ushtarak.
Ishte koha që do të kishte përherë e më shumë vend edhe në konakët e dasmave e daveteve , atje ku kënga bëhet fare tradicionale, pa la e lule moderniteti.
Nga do e ndiqte mjeshtëria e nënë Gëzimes, kaparjelases së Çake, asaj ja dedikon gjithëçka që lidhet me zërin e tij.
Atë ka idhull, atë ka ustalleshën e parë, të rrallën në këngë e në vaj.
Duket se melosi i saj e ka mahnitur dhe jo vetëm si marrëse por edhe si kthyese e hedhëse kënge.
Ndërkohë që në raste vai kjo grua labëreshë krijon një tjetër magji të trshëgimisë shpirtërore gojore, botë folklorike më vehte.
Po duket se në rrugën e këngës për Ajetin ka lënë gjurmë edhe një takim folklorik organizuar në ato vite në qytezën e Ksamilit me pjesëmarrjen e grupeve nga ndërmarrje të ndryshme të Sarandës e Delvinës.
Aty do të njihet nga afër me disa prej bartësve dhe interpretuesve më të njohur të kohës , veç të tjerësh edhe me delvinjotin Bujar Dabulla me të cilin pak kohë më pas do të organizojnë një grup të ri të cilin e emërtuan “Grupi i të rinjve të Delvinës”, kjo inspiruar edhe nga grupi me të njëjtin emër e që bëri histori kënge në qytetin e Gjirokastrës.
I takon këtij organizimi realizimi i disa prej këngëve të regjistruara në radio Gjirokastra apo edhe në Radio Televizionin Shqiptar e që zëri i Ajetit të dalë përtej vendlindjes së tij.
Ishte koha kur kishin nisur përgatitjet për festivalin folklorik të Gjirokastrës të vitit 1988 e që me gjithë përpjekjet e punën e bërë, skenën e Kalasë nuk mundën dot ta ngjitin.
Ndoshta ishte ky pezmatim apo zhgënjim shkaku që pas kësaj për disa vite do të pushonte edhe veprimtaria e vet grupit.
Pushoi së vepruari grupi por jo shpirti i këngëtarit e këngëtarëve të tjerë delvinjotë.
Prej vitit 1993, Ajet Duka, do të nisë rrugën e këngës nën një okelio të re në ballin e grupit.
Si një specialist i njohur i histories, kulturës dhe traditës së Labërisë, Luan Sejdini, do të bëhëj pagëzuesi me emrin “Kaonët”, kjo edhe në nderim të emrit të krahinës me të njejtin emër në antikitet.
Kështu Ajet Duka u vu në ballë të një grupi që shpejt do të ngjallte kreshëri e admirim të menjëhershëm në dashamirësit e shumtë të këngës polifonike por edhe në qarqet folklorike të trevave të jugut ku lëvrohet më së shumti kënga e Labërisë.
Në pozicionin e kthyesit do zërë vend picarjoti Viktor Ligaçi, një kthyes virtuoz e si i prerë për këngën e këtij grupi, ndërkohë që hedhës do të jetë Nuri Hamza, një nga mjeshtrat më të veçantë e profesionistë të hedhjes së labërishtes.
Po kur flasim për këngën e Ajet Dukës duhet të jemi të kujdesshëm e të mos harrojmë “detashmentin” e Iso-s “det” që ky grup e ka si asnjë tjetër grup përmes gufarit të Riza Pulës, Frederik Metës, Krenar Dukës, Veledin Korkutit, Arjan Qendros, Fatmir e Artan Muxhait.
Është koha që Idajet Duka të ngjit për herë të parë skenën e festivalit folklorik kombëtar por që festivali këtë radhë u zhvillua jo aty ku e kishte traditën por në kalanë e Beratit duke shënuar kështu pjesëmarrjen e parë në një manifetim të madh të folkut shqiptar.
Ndësra skenën e Kalasë së Gjirokastrës do të ngjiste bash në vitin e mbylljes së shekullit të XX dhe në pragun e nisjes së shekullit të ri, për të qenë pastaj i përhershmi i “dasmave’ të saj.
Kënga për plagën e kurbetit nën interpretimin e Ajet Dukës dhe grupit të tij kënduar në festivalin e vitit 2000 do të ishte një tjetër çertifikatë se tanimë kemi të bëjmë me një këngëtar të formuar e të kornizuar qartë në një stil të veçantë që mban vetëm firmën e tij.
Stili i të kënduarit të Dukës është i pa ngjashëm me të tjerë këngëtarë të Labërisë,duket se laboratori krijues i tij është mekanizëm më vehte.
Zëri i tij është sa epik po aq edhe lirik, sa kumbues po aq edhe i mjaltë, i kadifejtë. Janë të rrallë këngëtarët që luajnë me regjistrat e vokalit jo vetëm nga kënga në këngë por edhe brënda një të vetme si në një pentagram me nota. Për të mos folur për ndjeshmërinë që ai mbart gjatë interpretimit të fjalës.
Në një hark kohor prej rreth dy dekadash Ajet Duka na ka dhënë një korpus të tërë këngësh ku të gjitha mbeten të denja për fondin e artë të këngëve polifonike. Këngë dinamike e plot harmoni zërash por edhe këngë qosheje e trapezash, këngë skenash por edhe këngë konaku, kjo duket se është një tjetër e veçantë e këti grupi polifonik.
Këngë të tilla si: “Maja e Llogorasë mbi Vlorë”, “Bijë e Vlorës moj, Himarë”, “Kalaja u flet kalave”, “Jesh jetim i mjeri”, “Labëri monedhë e shtrenjtë”, “Bejka në faqe me pike”, “Ditën e Barjamit”, “Hajde mike djalërisë”, “O longar i drunjtë”, “Aman, o mike, amanë”, e shumë e shumë të tjera përbëjnë jo vetëm një thesar të tërë shpirtëror trashëgimie por edhe një tregues të vlerave individuale të këtij këngëtari.
“ Argjiro shkëmbi mbi shkëmbë,
Dole na prite me këngë,
Këngë e paç Kala e madhe,
Ngritur me këngë sërmaje.
Se mblidhet kënga te kënga,
Si qumështi gjirit te nëna…
Kur i kërkon Ajet Dukës të spjegojë disa nga të veçantat e këngëve të interpretuara prej tij ai të thotë se janë të ndara gjërat.
Nuk mund ti këndosh lules e të vësh ulërimën, nuk mund ti këndosh dashurisë e të vësh kujen apo kur duhet ti këndosh trimërisë që duhet të hapësh gjithë diafragmën e kraharorit.
Dhe duket se kjo është edhe deviza e tij e pa ndryshuar.
Ndryshe nga majft prej këngëtarëve të njohur të këngës labe, Ajet Duka është edhe një shkrues i fjalëve në shumë prej këngëve që ai vet i këndon dhe ndoshta me këtë spjegohet edhe interpretimi brilant, shoqëruar me gjeste të artikuluara mrekullisht dhe me një ndjenjë të admirueshme vet përmbajtjeje.
Ndryshe nuk ka si spjegohet një ndjeshmëri kaq e lartë në të gjitha indet e gjer në fijen e flokut.
Ndërkohë që në këngët lirike mbetet i pa përsëritshëm, madje si i prerë për këto lloj këngësh ku përmes vokalit të tij marrin një tjetër peshë e bukuri.
Bejka në faqe me pikë,
Ç’kish me mua e goditë,
Që shkonte dhe nuk më flitë,
Më shih sikur do më vritë,
Nga që si dhashë hajmalitë…
Eh sa këngë të bukura e të dukura na ka dhënë Ajet Duka me grupin e tij aq shumë të kuruar.
Sa e sa herë magjia e zërit të tij dhe mrekullia harmonike e të gjithëve ka mbërthyer spektatorët në skenat brënda e jashtë vendit.
Po mbi të gjitha një grup i vendosur për të ruajtur identitetin e vet mbështetur në traditën më të mirë të këngës së Labërisë duke na dhënë njëherësh një model se si këndohet dhe interpretohet kënga me iso labërie.
Kënga që spranon të deformohet e as të tjetërsohet e as të shkojë mbi rrugë e ndënë rrugë.
Ajet Duka, ky “Mjeshtër i Madh” i cili bashkë me grupin, me plot meritë mban vlerësimin e lartë presidencial, vazhdon të këndojë e drejtojë si kapiten i sprovuar në detin plot tallaze të kohës por që duket se isua det më vehte e kthen atë në një liman nga ku kënga kthehet në art e lundron e qetë.

 

 

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...