Butrinti dhe Ugolini-një binom që do vazhdonte për 10 vjet. Misioni italian i gërmimeve arkeologjike

- Advertisement -

Misioni iltalian që gërmoi mbi 15 vjet në Butrint
Kush ishte Luigi M. Ugolini dhe misioni arkeologjik që ai përfaqësonte?

L. M. Ugolini kishte lindur në Bertinoro, në 8 shtator 1895. Në 1918 ai u regjistrua në Universitetin e Bolonjës, Fakulteti i Arteve dhe në vitin 1921 do të diplomohej në arkeologji. Bënte pjesë në elitën e studiuesve të rinj, që përgatiteshin pranë Shkollës Italiane të Athinës dhe që kishte realizuar një sërë udhëtimesh shkencore në Gjermani, Angli, Danimarkë, Zvicër por edhe në Egjipt, Turqi, Qipro, Kretë etj. Në pranverën e vitit 1924, Ugolini u caktua të ishte në krye të misionit të parë arkeologjik italian në Shqipëri. Ai përshkruhet si një studiues i ri, ambicioz dhe i vullnetshëm. Në pranverën e vitit 1924 Ugolini nis udhëtimin e parë për kërkime arkeologjike në Shqipëri duke nisur nga krahinat veriore (rrethi i Shkodrës) për të vazhduar drejt pjesës jugore, Sarandë e veçanërisht Butrint. Më 1926 Ugolini ngriti çadrat e misionit të tij në Finiq, i tërhequr nga madhështia e fortifikimeve të tij dhe nga shkrimet e autorëve antikë, që e cilësonin si kryeqëndra e Epirit. Misioni vlerësoi së tepërmi punën në Finiq por pas dy muajsh fushate gërmimi, puna u pezullua. Eshtë një dokument shumë interesant i Inspektorit të Arsimit për Gjirokastrën, por që mbulonte dhe Delvinën i vitit 1927, ku caktonte mësuesin delvinjot Xhelal Berberin ( Mësues i Popullit ) që të shoqëronte Ugolinin në gërmimet arkeologjike në Finiq.
Në këtë periudhë pauze ai realizoi përgatitjen e një serie të botimeve shkencore duke paraqitur rezultatet e arritura nga aktiviteti i deriatëhershëm arkeologjik. Në pranverën e vitit 1927 ai përfundoi librin “Shqipëria antike” me gjurmimet e para arkeologjike të bërë në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Ugolini pati shkelur për herë të parë në Butrint gjatë udhëtimit të tij përnjohës të vitit 1924 por i kishte parë rrënojat e qytetit të lashtë nga bregu përballë. Të vendosur përballë dilemës nëse do të vazhdonin me fushatën e tyre ose jo dhe duke ju afruar gjithnjë e më tepër rrënojave të Butrintit miratimi për vazhdimin e tyre u dha.
Pas marrëveshjes midis autoriteteve shqiptare me ato italiane, në pranverë të vitit 1928, Misioni Arkeologjik Italian i drejtuar nga L. M. Ugolini, filloi fushatën e kërkimeve dhe gërmimeve arkeologjike në Butrint.
Që në fillim spikatën muret e Akropolit, ndërkohë që gërmimet u përqëndruan në zonën e Teatrit, Baptisterit (Pagëzimorja), Portën e Luanit etj. Spikati ndër zbulimet e tij të para koka e “perëndeshës së Butrintit” e ashtuquajtura Dea si dhe rreth 18 statuja e fragmente statujash të zbuluara vetëm në zonën e Teatrit. Zbulimi i parë dhe më i lehtë ishte porta e murit rrethues, të cilën Ugolini e quajti “Porta Scea” (Porta e Liqenit), duke e identifikuar me portën përmes së cilës, sipas Virgjilit, Enea hyri në Butrint. Ugolini zbuloi edhe një portë tjetër, në arkitraun e së cilës ishte skalitur figura e një luani që kishte sulmuar një dem (Porta e Luanit).
Gjatë viteve në vijim misionit iu shtuan edhe dijetarë të rinj dhe të talentuar si: Luigi Cardini (prehistorian i misionit), Igino Epicoco, Pirro Marconi, Domenico Mustilli etj. Ky ekip arriti që të eksploronte edhe zonën përreth Butrintit si Çuka e Ajtoit, Diaporiti, Kalivoi, Xarra etj, ç’ka treguan se ishte një zonë me një potencial të jashtëzakonshëm arkeologjik.
Paralelisht gjatë punës së tij misioni i drejtuar nga Ugolini realizoi restaurimin e një sërë monumentesh, mirëmbajtjen e sitit arkeologjik si dhe hapjen e një muzeu në Akropol. Ky mision në fushën e arkeologjisë shqiptare përfaqëson fillimin e një stili të ri kërkimesh plot energji dhe intensitet të veçantë.
Misioni Italian vazhdoi deri në vitin 1943, ndërkohë që Ugolini vazhdoi të ishte protagonist i tij deri sa vdiq në vitin 1936.
Përgatiti Eva Thomagjini – arkeologe

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...