Kur ikën në qiell, një njeri me vlerë në jetë do të mbetet si një meteor që nuk do të shuhet kurrë

- Advertisement -

Ajo, Evdhoksia, ose Dhoksia Kalivopulli, sic është njohur nga sarandiotët, nuk është më mes nesh. Iku në amëshim mamia, që me dorën e saj priti shumë jetë, banorë të rinj për Sarandën tonë. Iku nga kjo jetë ditë më parë, duke shkaktuar shumë dhimbje për familjen dhe gjithësecilin prej nesh që e njohëm. Vajza me trup elegant, pamje mbresëlënse, sy dhe fytyrëbukur,  e thjeshtë, e sinqertë, e dashur, specialiste e talentuar erdhi për herë të parë nga Gjirokastra në Sarandë, në qytetin që ëndërronte. Erdhi me një mision njerëzor për të punuar mami në Shtëpinë e Lindjes në këtë qytet. Ishte e përgatitur për të përballuar lindjet e vështira dhe t’u jepte kurajo dhe energji pozitive nënave të reja. Ishte viti 1952. Vit ky kur në Sarandën tonë
ishin të pakta mamitë e specializuara e të shkolluara në shërbim të nënave  të reja. Deri atëherë, lindjet bëheshin nëpër shtëpia me plakat e lagjeve, që e kryenin këtë detyrë në mungesë të personelit mjekësor pasi jo vetëm fshati, po edhe qyteti vuante mungesën e tyre. Më shumë se fjala, sjellja dhe kujdesi ishin  virtyti më i bukur i mamisë Dhoksi, e cila u përcillte nënave mirësi dhe dashuri, si të ishin motrat e saj. E papërtuar, zonjë e përkushtuar me gjithë shpirt, e gatshme për të qëndruar e pagjumë për t’u ndodhur pranë grave, që sillnin jetë në emër të jetës.
Ajo ishte mikesha e të gjitha grave të qytetit të Sarandës dhe fshatarave përeth. Ua dinte emrat të gjithave. I njihte, i donte, kujdesej për to.Memorizonte në shpirtin dhe kujtesën e saj gjthcka nga mjediset e shtëpisë së lindjes dhe i shoqëronte tërë kujdes nënat e reja dhe fëmijët e sapolindur, për të cilët reflektonte aq shumë dhimbsuri
U jepte aq shumë dashuri si të ishin fëmijët e saj.
Profesioni, për Dhoksinë, ishte i shenjtë. Njihte deri në detaje dhomat e lindjes. Mjediset ku mbaheshin fëmijët. Inkubatorët.Dinte me saktësi cilat ishin lindjet  normale dhe cilat të vështira, që kërkonin trajtim të vecantë. Kështu, ditë pas dite, u rrit profesionalisht  dhe fitoi përvojë.e kur vite më vonë takonte fëmijë, që kishte pritur atje në shtëpinë e lindjes, ju kujtonte se ishte ajo që i kishte parë për herë të parë, u kishte dëgjuar  të qarat. Në emër të jetës  sakrifikoi gjumin  dhe nuk njohu lodhjen. Gjithëcka e bëri në emër të jetës me pasion dhe këmbëngulje, me shpirt dhe zemër të bardhë. E lindur në vitin 1937 në Gjirokastër, erdhi në Sarandë pasi mbaroi shkollën e mesme mjekësore,  dega mami. Në qytetin e Sarandës erdhi në vitin 1952 dhe punoi në maternitetin e Sarandës deri ditën që doli në pension. Pak vite si mami dhe pastaj kryemami.Gjatë gjithë kohës që punoi në maternitetin e Sarandës u shqua për aftësi të larta profesionale, për komunikim të përzemërt dhe humanizëm njerëzor. Doktor,  Dhimirtër Xhaferri, kirurgu i njohur, tregon se Dhoksia ishte profesioniste e talentuar, shumë dinjitoze,këmbëngulëse, bluzëbardhë me vyrtyte të larta. Ishte qytetare. E tillë në lagje e qytet. Vite më vonë Dhoksia u martua me kirurgun e njohur  Kristo Kalivopulli. Nga kjo martesë lindën dy fëmijë,Elida dhe Aleksandri, të cilët në jetën e tyre manifestuan cilësitë më të mira të edukuara me dashuri nga dy prindër intelektualë dhe fisnikë.
Po jeta ka një moment të trishtë. Eshtë dita kur ikën nga  pa na thënë   lamtumirë. Dhoksia iku si një meteor për t’u ngjitur në qiellin e ëngjëjve.
Iku në një fluturim pambarim për të mbetur ëngjëll i mirësisë dhe përkushtimit. Kjo zonjë, nënë e qytetare, bashkëshorte,
iku duke lënë pas trishtim e dhimbje për Sandrin e vajzën, që i edukoi dhe rriti me aq shumë dashuri.
Iku qytetarja shembullore. Nëna e përkushtuar. Mamia që priti në duartë e saj breza të tërë saranditësh. Iku gruaja me zemër të madhe. Na la  në trishtim  mikja e mirë, Evdhoksi Kalivopulli
Vërtetë iku, po ajo do të mbetet mes nesh e dinjitetshme, e lartësuar, e dhimbsur dhe e dashur, shpirtbukura, Dhoksia Kalivopulli!
E megjithëse iku, ajo mbetet mes nesh, gruaja që tërë jetën u shërbeu nënave dhe fëmijëve që sollën në jetë! Ishte pritësja dhe përcjellësja e jetës që vazhdon! E përjetshme qoftë ajo, mamia Dhoksi, qytetarja e denjë e qytetit të Sarandës.

/sarandalife.al/

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...