Publiku dhe artistët në Hong Kong u përballën mbrëmjen e së enjtes me një aksident tronditës gjatë performancës së grupit të njohur Mirror. Një nga ekranet gjigante u shemb, duke plagosur rëndë një balerin që ishte në skenë në atë moment.
Spektatorët ngrinë kur panë pajisjen e madhe elektronike që shpërtheu në kokën e balerinit fatkeq.
Koncerti u ndërpre menjëherë dhe menaxheri i grupit i kërkoi turmës që të largohej nga vendi pa panik.
Siç konfirmohet në një konferencë për media nga Policia lokale, njëri prej interpretuesve ka pësuar lëndim të rëndë në qafë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në reanimacion, ndërsa dy të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda por janë jashtë rrezikut për jetën. Shumë prej spektatorëve u dërguan gjithashtu në spital për shkak të tronditjes që pësuan.
Grupi popullor i djemve performoi në Koliseumin e Hong Kongut të enjten në mbrëmje si pjesë e një serie shfaqjesh. Qeveria e qytetit ka urdhëruar që pjesa tjetër e shfaqjeve të ngrihen derisa të inspektohen vendet e tyre. Grupi është super-popullor në Hong Kong dhe shumë e vlerësojnë suksesin e tyre me ringjalljen e Cantopop, muzikës pop lokale.
