“Sarandalife.al” duke nisur nga sot do të transmentojë një cikël me figura instrumentistësh të Sarandës dhe Delvinës. Sot do të fillojmë me një dyshe muzikanësh babë e bir, Fatmir dhe Bledi Telhaj.
Fatmiri që në moshë të vogël ishte i apasionuar me detin por nuk ngeli këtu. Shumë shpejt do të tërhiqte vëmendjen e trajnerit të notit, Esat Mamaca, i cili e përfshiu në ekipin e notarëve të vegjël të pionerëve. Por shumë shpejt do ta linte detin dhe do të bëhej pjesëtar i bandës muzikore të qytetit së bashku me dy vëllezërit e tij. Kompozitori i Madh, Limos Dizdari do të entusiazmohej kur u njoh me Fatmirin: “Ka shumë talent dhe do të bëhet muzikant shumë i mirë”, u shpreh atëherë kompozitori Dizdari. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Nga shumë fëmijë nga Saranda që konkuruan në Tiranë për shkollë muzike, vetëm Fatmiri fitoi, por që nuk mundi t’i vazhdonte studimet sepse lufta e klasave e pengoi një gjë të tillë. E pengoi për shkollën por nuk e pengoi dot dëshirën për ta ushtruar në mënyrë autodidakte falë talentit, në koncerte, gëzime familjare etj. Në vitin 1992, si shumë të tjerë dhe Fatmiri mori rrugën për në Greqi, ku jeton e punon edhe sot familjarisht. Për 25 vjet rrjesht ai punoi si istrumentist në klarinetë dhe saks duke u prezantuar në mënyrë tepër dinjitoze. Mirëpo në familjen Telhaj nuk është vetëm Fatmiri muzikant, ai ka dhe djalin e tij, Bledin, një muzikant i arrirë, tepër modern, një, organist, kitarist, orkestrues i mrekullueshem. Në studion e tij mund të gjesh vazhdimisht këngëtarë grek e shqiptarë nga më të njohurit sot për sot në të dy vëndet. Në studion e tyre babë e bir kanë regjistruar disa pjesë shumë të bukura që ne do t’i transmentojmë për t’ju dhënë juve kënaqësinë për t’i ndjekur. Pjesët e tyre janë tepër moderne të stilizuara, pasazhe muzikore popullore dhe moderne, duke dhënë një produkt mjaft interesant , të asimilueshëm, tërheqës dhe të pëlqyeshëm. Shikim e dëgjim të këndshëm.
