Rezolutë e Këshillit Bashkiak Sarandë ku kundërshtohet harta e re Gjyqësore

- Advertisement -

Këshilli Bashkiak i Sarandës nëpërmjet një rezolute kundërshton Hartën e Re Gjyqësore të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, e cila konsiston në reduktimin e numrit të gjykatave në shkallë vendi, mes tyre edhe të Gjykatës së Sarandës, dhe krijimin e një Gjykate të vetme Apeli të juridiksionit të përgjithshëm, me seli në Tiranë, si dhe mbylljen e gjykatave administrative të shkallëve të para, në Rrethet Gjyqësore ku janë atashuar, duke u krijuar vetëm dy gjykata administrative të shkallës së parë, me seli në Tiranë dhe në Lushnjë.

Rezolutë e Këshillit të Bashkisë Sarandë për rishikimin e Draft – Gjyqësore
Drejtuar: Këshillit të Ministrave
Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama
Ministrit të Drejtësisë Z. Ulsi Manja
Për dijeni : Këshillit të Lartë Gjyqësor
Këshillit të Lartë të Prokurorisë
I nderuar Kryeministër z. Edi Rama!
I nderuar Ministër i Drejtësisë Z. Ulsi Manja!
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Ministrave !
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Larte Gjyqesor, Anetarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Këshilli i Bashkisë Sarandë në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në Ligjin 139/2015 “Për vetqeverisjen vendore”, i ndryshuar neni 53 pika k) për mbrojtjen e garantimin e interesit publik dhe në përputhje me Regulloren e Funksionimit të Këshillit të Bashkisë, pas një konsultimi të gjerë me grupe të interesit, qytetarë, shoqata, aktivistë të shoqërisë civile, juristë e të tjerë, vendosi t’ju drejtohet nëpërmjet kësaj Rezolute, në lidhje me Draft – Hartën e re Gjyqësore, e cila nëse do të ligjërohet është kundër interesave më të larta publike duke dëmtuar rëndë aksesin për t’u paraqitur para një gjykate në një kohë shumë të shpejtë dhe me kosto sa më të ulët, jo vetëm kosto finaciare por edhe të ditëve të punës që do të duhen për të kërkuar një të drejtë ose interes të ligjshëm.
Parashtrim i Situatës:
1-Historiku
Para vitit 1912 në kohën e Perandorisë Turke në këtë rajon Gjirokastër – Delvinë ka patur qendra administrative ku ndër institucionet e tjera kanë qenë dhe gjykatat.
Pas vitit 1912 qeveritë e kohës janë kujdesur që në këtë rajon për shumë arsye të forcoheshin institucionet e shtetit shqiptar dhe ndër to edhe sistemi gjyqësor dhe ka patur gjykata në Delvinë, Gjirokastër deri në Konispol.
-Nëpërmjet arkivave të këtyre gjykatave Shteti shqiptar ka një pasuri të madhe përsa i përket historisë së zhvillimit të shtetit Shqiptar në jug të vendit (Gjirokastër dhe Sarandë).
Edhe në kohën pas vitit 1944 shteti i kohës i ka forcuar institucionet në këtë rajon dhe ndër to edhe sistemin gjyqësor.
Pra në Jug të vendit jetojnë jo vetëm popullsi fshatare por edhe intelektualë të fushave të ndryshme ndër ta edhe gjykatës,prokurorë, noterë,avokatë, ekspertë të fushave të ndryshme që kanë lidhje me sistemin gjyqësor.
Pra të gjitha Qeveritë që pas vitit 1912 i kanë kushtuar rëndësi të posaçme institucioneve të shtetit, por veçanërisht të sistemit të drejtësisë të sigurisë e më gjerë në rajonin e jugut.
2-Çfarë parashikon Harta e re Gjyqësore…
Draft – Harta e Re Gjyqësore e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, konsiston në reduktimin e numrit të gjykatave në shkallë vendi dhe midis të tjerave edhe krijimin e një, Gjykate të vetme Apeli të juridiksionit të përgjithshëm, me seli në Tiranë, si dhe mbylljen e gjykatave administrative të shkallëve të para, në Rrethet Gjyqësore ku janë atashuar, duke u krijuar vetëm dy gjykata administrative të shkallës së parë, me seli në Tiranë dhe në Lushnjë.
Kjo reformë prek edhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe në projekt është parashikuar pët t’u bashkuar me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
Institucionet që preken direkt nga draft – harta e re gjyqësore përveç Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Gjykatës të Apelit Gjirokastër dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, janë dhe institucionet e tjera si Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë, Prokuroria në Gjykatën e Apelit Gjirokastër dhe Avokatura e Shtetit pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
Rrethi Gjyqësor Sarandë (Shkalla e Parë) përfshin Bashkinë Sarandë, Delvinë, Finiq, Konispol dhe Njësinë Administrative Lukovë të Bashkisë Himarë.
Gjykata Administrative Gjirokastër përfshin në juridiksionin e saj territorial Bashkinë Sarandë, Delvinë, Finiq, Konispol dhe Njësinë Administrative Lukovë të Bashkisë Himarë si dhe qarkun Gjirokastër ( Gjirokastër, Tepelenë, Përmet).
-Kjo ndarje është bërë pasi janë bërë studime që kanë të bëjnë me largësinë nga skaji më i largët i këtij rajoni duke u orientuar me vendodhjen e gjykatave si dhe nga lidhja gjeografike e këtij rajoni. Kështu ka qënë që para vitit 1912 e pas vitit 1912 , gjatë kohës së socializmit, ku kanë jetuar në harmoni shtetas të ndryshëm të pupullsisë, ushtarakë, mësues, inxhiniere, njerëz të kulturës, artit, patriotë, të pasur e të varfër, gjykatës, noterë, ekspertë pra një popullsi ku i ka patur dhe i ka të gjitha shtresat. Largimi i ushtrisë, i drejtorive rajonale drejt Fierit e Tiranës si dhe largimi së fundimi edhe i gjykatave bënë edhe largimin e avokatëve, gjyqtarëve, ekspertëve të ndryshëm të lidhur me sistemin e drejtësisë, gjë që në fund ka të bëjë me largimin e këtyre shtetasve drejt kryeqytetit, që do të thotë shpopullim i jugut të Shqipërisë nga shtresa intelektuale gjë që është në dëm të vendit, pasojë që vjen në të ardhmen.
-Nga studimi i çështjeve të trajtuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, të Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative të Gjirokastrës rezulton se kanë trajtuar një numër të madh çështjesh përsa i përket numrit të tyre, kohës së gjykimit deri në dhënien e vendimit me formë të prerë që për Gjykatën Civile dhe atë Penale përfundojnë në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.
Referuar çështjeve administrative të gjykuara nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër rezulton se numri më i madh i çështjeve vinë nga Rajoni i Rrethit Gjyqësor Sarandë që qytetarët për çështje administrative shkojnë deri në Gjirokastër por largimi i kësaj gjykate në Lushnje e bën të vështirë ose të pamundur kërkimi i drejtësisë përsa i përket çështjeve të natyrës administrative kur vetë qëllimi i krijimit të këtyre gjykatave ka qënë gjykimi i shpejtë i këtyre çështjeve dhe me kosto sa më të ulëta. ( Një shembull: Për gjoba të vendosura qytetarëve në shumat nga 5000 lekë deri në 100.000) lekë edhe kur ato janë të padrejta nga largësia që krijohet nga shkuarja në gjykatë qytetarët do të heqin dorë nga kërkimi i drejtësisë pët vetë kostot, kohën e humbur e të tjera).
Në fakt harta e re gjyqësore, për Rajonin e Rrethit Gjyqësor Sarandë me mbylljen e Gjykatës Sarandë dhe dy gjykatave, (Apel dhe Shkallë e Parë Administrative Gjirokastër) sjell ndikim negativ tek qytetarët dhe më gjerë si e kemi sqaruar edhe më lartë.
-Mbyllja e tyre, ul aksesin e qytetarëve në marrjen e këtij shërbimi. Aksesi në drejtësi lidhet me distancën qytetar-gjykatë, numrin e popullsisë në marrjen e këtij shërbimi, kostot e qytetarit në përfitim, si dhe me rritjen e cilësisë së këtij shërbimi.
Me largimin e këtyre gjykatave rriten kostot për qytetarët dhe për institucionet publike që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Rajonin e Rrethit Gjyqësor Sarandë si dhe në rrethin Gjyqësor të Gjykatës Administrstive Gjirokastër që përfshin Rrethin Gjyqësor Sarandë dhe atë Gjirokastër e Përmet. Gjykata e Apelit Gjirokastër përfshin Rrethin Gjyqësor Sarandë dhe atë Gjirokastër dhe ngarkesa për këto gjykata është sipas ligjit duke parë edhe shpejtësinë e dhënies së drejtësisë si dhe cilësinë e gjykimit.
-Largësia që krijohet me mbylljen e Gjykatës Administrative Gjirokastës nga Saranda për në Lushnje dhe i gjithe rajoni i jugut e bënë të pamundur që qytetari të kërkojë një të drejtë të natyrës administrative për vetë koston që krijon kjo largësi dhe automatikisht qytetarët do të heqin dorë nga e drejta e cënuar për këtë fakt.
-Hartimi i kësaj rezolute është mbështetur në historikun që e sqaruam më lartë por edhe në përvojën e mëparshme dhe aktuale. Draft – harta e re gjyqësore nuk merr për bazë që sistemi gjyqësor ka qenë i organizuar edhe më parë me një gjykatë të vetme Apeli me seli në Tiranë, e cila rezultoi e dështuar.
Modeli i tanishëm është ngritur mbi një studim, i cili është akoma i dobishëm duke parë vetë terrenin gjendjen ekonomike, largësinë për të shkuar në gjykatë etj.
-Draft – harta e re gjyqësore shumëfishon kostot e shpenzimeve gjyqësore për:
-Qytetarët të cilët përveç pagesës së përfaqësimit në gjykim duhet të paguajnë edhe kostot e transportit dhe akomodimit të përfaqësuesit apo avokatit të tyre.
Këshilli i Bashkisë Sarandë drejtohet me kërkesat si më poshtë:
Të qëndrojë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë siç është dhe të kompletohet me 7- 8 gjyqtarë sa është ngarkesa sipas ligjit.
-Të rishikohet draft – harta e re gjyqësore duke lënë në funksion Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër pasi çështjet që ajo trajton janë në një përqindje absolute nga Rrethi Gjyqësor Sarandë për vetë dinamikën dhe zhvillimin e rajonit tonë si një zonë turistike me përparësi zhvillimi, ku vetëm të huajt janë mbi 300 deri 500 vetëm blerje banesash, fshatra turistike gjatë bregdetit dhe popullsia është duke u rritur.
Përsa i përket Gjykatës së Apelit Gjirokstër ne mendojmë që të qëndrojë aty ku është pët vetë atë që kemi shpjeguar me lartë.
Harta e re gjyqësore të marrë në konsideratë interesin më të lartë të qytetarëve duke ju referuar të kaluarës, gjendjes aktuale dhe perspektivës së rajonit jugor “, përfundon Rezoluta e Këshillit Bashkiak të Sarandës.

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...