Skënder Bani, është më i moshuari ambasador për Paqe, që Saranda ka. Por kjo nuk është e vetmja “më” që ai ka në udhëtimin e tij të jetës dhe të jetëshkrimit si mësues, jo “si gjithë të tjerët”. Duke lënë gjurmë të thella në këtë rrugë, Skënder Bani është, mbase i vetmi, që emrin e tij për së gjalli e ka marrë shkolla e Shelegarit.
Ai sot mbush 83 vjeç. I telefonova, për t’ia bërë urimin “live”.
-Të falenderoj shumë, por…” dhe zërin ia mbyti heshtja dhe zori.
U ndje i prekur si nga arsyeja për të festuar, edhe nga pamundësia për “ta djegur”. Kjo ditëlindje, e gjeti të shtruar në patolologjinë e “Petro Nako”-s dhe dukej se këtë nuk ia “falte” vetes.
– Më thuaj në cilën dhomë të gjej, – i thashë- dhe qetësohu, se kjo është betejë më e lehtë se ato që ke bërë me analfabetizmin dhe që matematikës i hoqe “maskën” e gogolit dhe e bëre të dashur edhe për “xhorrët”.
I telefonova Galia Koçit, që kërkoi vetëm gjysëm ore kohë sa të tereziste punët në doganën e Qafëbotës. Po kështu, Hamdi Pervizi, la çdo punë të biznesit dhe u takuam si Kryesi e Këshillit lokal të Paqes, për të çuar në një dhomë spitali urimet e të gjithëve për ambasador Skënderin. Do të donim të çonim tufën me urime shoqëruar me një tufë lule, por jo çdo gjë
ecën me skenar.
Ama skenari kryesor funksionoi: Skënderi mbeti i surprizuar dhe i mrekulluar për këtë vizitë, që kishte shumë paqe, shumë nderim e qytetari. E vërteta është që ai u ndje keq që e gjetën me tubat e serumit dhe duke i harruar ato, u ngrit në këmbë, që të uleshim ne.
“Doktori deputet Niko Kuri më ka thënë se nuk do qëndroj dhe shumë në Spital, ju pres në shtëpi në Shelegar”, na tha përzemërsisht Skënderi dhe i prekur që “ia kishim bërë borxh”.
Vitet përtej të 80-ave dhe përvoja në mësimdhënie, nuk e kanë penguar, madje e kanë ndihmuar të bëhet mësues i vetvetes dhe të jetë familjar me teknologjinë digjitale, të ketë llogari në Facebook e ta përdorë atë si dritare informimi e komunikimi, të jetë i gjendur e komunikues në Whatsapp e Viber. Ja, përshembull, sot Ka FB, kishte parë urimin që i bëhej në faqen e Këshillit Lokal të Paqes Sarandë dhe qe lumturuar edhe nga vërshimi i komenteve në të.
Por ndoshta nga emocioni, nuk e gjeti më pas disa orësh t’i shfaqej urimi. E kjo i dha pak mërzi, e cila rezultoi të ishte e kotë, pasi gjatë vizitës së papritur te dhoma 3-5 e pavionit të Patologjisë, i treguam se postimi ishte atje dhe urimet për jetë të gjatë e shëndet të mirë të 83 vjeçarit Skënder Bani, kishin dalë nga shtrati, ashtu si lumi i Bistricës, pak ditë më parë.
Këto emocione të forta bënë të dilte nga shtrati i pacientit ambasadorin më të moshuar që ka Saranda dhe të vetmin mësues që e sheh në gjallje emrin e tij, ta mbajë shkolla e fshatit ku ka dhënë mësim e ku i dha mësim tërë Republikës me “shpikjen” e vet të bazës didaktike, që ua nguli në tru matematikën nxënësve të kohës.
Nga Thoma Nika
