Komuniteti vendas në Turqi është tronditur nga rasti i abuzimit ekstrem të një foshnjeje 2 muajshe nga babai i tij në Gaziantep , i cili tashmë ka marrë rrugën e drejtësisë. Një video tronditëse që bën xhiron e mediave turke tregon Yunus Göç duke rrahur egërsisht fëmijën vetëm pse ai qan. Sipas haberturk.com , skena e ashpër është regjistruar nga një aparat celulari që nëna e foshnjës e kishte lënë fshehurazi hapur para se të dilte nga shtëpia. Në klipin që shkakton ngërçe në stomak, fëmija dëgjohet duke qarë zemërthyer ndërsa babai e godet me tërbim në trup dhe në kokë. Sipas raportit të mediave lokale, abuzimi përfundoi vetëm kur nëna më në fund u kthye në shtëpi dhe ia rrëmbeu fëmijën nga duart bishës. Fëmija u transportua në spital me hemorragji cerebrale , ndërsa babai i tij u arrestua. Nëna, Semra Goc, u tha gazetarëve me lot në sy se prej ditësh nuk fle dot dhe se dëshira e saj është që burri i saj të marrë dënimin maksimal të mundshëm. “Të dënohet me dënimin më të gjatë dhe të shkojë në burg. “Ai nuk duhet të dalë kurrë që andej”, tha nëna e fëmijës fatkeq.
Rasti ka bërë bujë në Turqi. Në një deklaratë, Ministria e Familjes dhe Shërbimeve Sociale bën të ditur se autori është arrestuar dhe se do të ketë veprime për ndëshkimin e tij në mënyrë shembullore.
