Urdhri i MAS: Ja kur nis mësimi në të gjitha universitetet e vendit!

- Advertisement -

Mësimi në institucionet e arsimit të lartë për vitin e ri akademik 2022-2023 do të nisë në datën 17 tetor. Në urdhrin e miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit përcaktohet se viti i ri akademik në strukturat e arsimit të lartë në të gjithë vendin, do të nisë zyrtarisht në datën 17 tetor të këtij viti, ndërkohë që do të përfundojë në datën 29 shtator të vitit 2023.
Pas përcaktimit të datës së fillimit të procesit mësimor për vitin e ri akademik, universitetet kanë marrë tashmë udhëzimet e duhura në lidhje me përgatitjet që duhet të bëjnë për pritjen e studentëve, jo vetëm të atyre që do të ndjekin për herë të parë studimet e larta gjatë këtij viti, por edhe të atyre që do të rikthehen për të vijuar mësimin e viteve të ndërmjetme për secilin cikël studimi të nivelit të parë “Bachelor”, nivelit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor”, si dhe nivelit të tretë që janë studimet e doktoratës.
Aktualisht në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto publike, apo private, kanë nisur përllogaritjet e pikëve për të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë aplikuar për të ndjekur studimet e larta të ciklit të parë 3-vjeçar “Bachelor”, si dhe programeve të integruara të këtij niveli. Në mbyllje të muajit gusht, të gjitha universitetet do të shpallin renditjen finale të pikëve të siguruara nga aplikuesit në çdo program studimi, duke evidentuar edhe listën zyrtare të fituesve të Raundit të parë, të cilët do të vijojnë me procesin e regjistrimit sipas fazave të përcaktuara për këtë raund.
Duke qenë se edhe këtë vit, përzgjedhja e fituesve që do të pranohen për të vijuar për herë të parë studimet e ciklit të parë, do të zhvillohet me 3 raunde pranimi, autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit dhe dikasterit të MAS, bëjnë me dije se të gjitha procedurat e aplikimit përzgjedhjes dhe regjistrimit të fituesve për dy raundet e para do të përfundojnë para datës 17 tetor kur do të nisë mësimi në universitete, ndërsa për pranimet e raundit të tretë, procesi i aplikimit, shpalljes dhe regjistrimit të fituesve do të vijojë deri në mbyllje të muajit tetor, sipas kalendarit të shpallur më herët nga QSHA.
Autoritetet e arsimit sqarojnë më tej se edhe për pranimet e reja që do të ndjekin studimet e ciklit të dytë, procesi i aplikimit do të ketë përfunduar brenda datës 18 tetor. Procedurat e pranimeve të reja për programet e ciklit të dytë do të vijojnë të jenë të njëjta, si ato të aplikuara gjatë viteve të shkuara. Kandidatët do të konkurrojnë me anë të dosjes së dokumenteve të përcaktuara, teksa përzgjedhja e fituesve në çdo program studimi ku kërkesat janë më të larta se sa kuotat e miratuara do të kushtëzohet nga mesatarja e studimeve të nivelit të parë, si dhe nga prioritetet në përzgjedhje që kanë miratuar vetë fakultetet për çdo program studimi të këtij cikli.
Studimet e larta organizohen në tri cikle të njëpasnjëshme që janë programe të ciklit të parë, të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë.
Programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Këto programe si rregull realizohen, me 180 kredite europiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët që ndjekin këto programe mbështetur edhe në kriteret e vendosura për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e studimit në ciklin e dytë mund të organizohen në programe studimi “Master i shkencave” ose “Master profesional”. Programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Ky program mund të realizohet me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
Programi i studimit mund të realizohet edhe si program i integruar i studimit i ciklit të dytë, me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale prej pesë vitesh akademike. Ky program studimi ofrohet në drejtësi, si dhe në fusha të tjera të përcaktuara nga aktet nënligjore. Studimet në këtë program përmbyllen me punim diplome dhe studentët pajisen me diplomë të integruar në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e studimit “Master profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me karakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor në fushat e përcaktuara nga njësia bazë ose njësia kryesore. Ato kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese. Studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tri vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike. Në përfundim të studimeve të doktoratës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”.
Institucionet e arsimit të lartë vendosin vetë në lidhje me kriteret për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor. Pranimi në programet e ciklit të tretë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë fituar diplomën “Masteri shkencave” ose “Master i arteve”dhe plotësojnë kriteret e pranimit, të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë në të cilin konkurrohet. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të tretë është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, e vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtare. Studimet e doktoratës zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë ose me kohë të zgjatur në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar.

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...