(Pa)siguria fizike në punë, 10 punëmarrës të aksidentuar çdo muaj

- Advertisement -

Aksidentet në vendin e punës nuk janë diçka e re. Mesatarisht në një muaj janë aksidentuar 15 punëmarrës në vitet 2019-2020, që për fat ka rënë në 10 për këtë vit. Por ka ende rrugë për të bërë në funksion të minimizimit të tyre…

 

Nga Deada Hyka

Nën optikën e një viti pandemik, theksi i sigurisë në vendin e punës u përqendrua në distancim shoqëror dhe larjen e rregullt të duarve. Por, ndërsa duart e pastra do t’ju ndihmojnë të shmangni koronavirusin, kjo metodë nuk është efikase për rreziqet e tjera të punës.

Sektori minerar, ndërtimi dhe ai elektrik janë tre aktivitetet në të cilat aksidentet në punë janë më të shpeshta, deri në humbje jete. Ndërsa rastet fatale janë ulur me kalimin e viteve, ngjarjet e ripërsëritura të aksidenteve në biznese të ndryshme në vend vijnë si një kambanë alarmi për të rritur kontrollet dhe masat e sigurisë së punëdhënësve.

Sindikata në Mbrojtje të të Drejtave të Punonjësve këshillon se, ndjekja e procedurave dhe masave paraprake të sigurisë ndihmon në shmangien e aksidenteve më të zakonshme në vendin e punës. Të qenët të sigurt në vendin e punës në vitin 2021, është një e drejtë, jo privilegj.

Inspektorati i Punës në vend bën thirrje të vazhdueshme se, hapi i parë duhet të jetë të raportoni shqetësimet te mbikëqyrësi. Shumica e bizneseve kanë një procedurë për shqetësimet në lidhje me sigurinë, kështu që kjo mund të nënkuptojë që juve ju kërkohet të paraqisni një raport me shkrim i cili përshkruan kushtet e pasigurta në vendin e punës.

 

Statistika

Statistikat e fundit tregojnë se, aksidentet në vendin e punës dhe për shkak të saj gjatë vitit 2020 ishin 168 raste. Inspektoriati i Punës (ISHPSHSH) bën me dije se gjatë vitit të shkuar janë kryer 201 inspektime të nisura për këtë shkak. Gjatë hetimeve, janë konfirmuar 182 punëmarrës të aksidentuar në punë, prej të cilëve 36 punëmarrës rezultuan me pasoja të humbjes së jetës. Në 77% të punëmarrësve të aksidentuar, shkaqet lidhen drejtpërdrejt me kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë, po ashtu 72% e aksidenteve me pasojë fatale për jetën kanë ndodhur për të njëjtat shkaqe.

Gjatë 2020 rezultojnë 24 raste aksidente rrugore sipas këtij koncepti të ligjit e të hetuara nga ISHPSHSH, 5 prej të cilëve kanë rezultuar me humbje jete. Në grupimin “Raste të aksidenteve për shkaqe të tjera, të palidhura drejtpërdrejt me punën” janë shënuar raste të tilla si:

Gjendja shëndetësore e punëmarrësit, jo sëmundje e përgjithshme, ku gjatë orarit të punës ka pësuar infarkt që ka sjellë humbje të menjëhershme të jetës; Kushtet atmosferike të kohës, ngricat, dëbora apo pengesat në rrugë kanë sjellë që punëmarrësit të rrëshqasin gjatë kryerjes së punës. Konkretisht në 1 rast me 2 punëmarrës me pasojë vdekje është aksident rrugor, dhe rasti tjetër me 3 punëmarrës të asfiksuar nga gazi i merkurit në nëntokë, në një subjekt me aktivitet “miniera karriera”.

Aksidentet me pasojë vdekjen sipas Degëve Rajonale, kanë ndodhur në 33% të tyre në Tiranë, 19% në Dibër, 14% në Durrës. Numri më i lartë i punëmarrësve të aksidentuar me pasoja fatale janë në sektorin e ndërtimit, në masën 27%. Në “Ndërmarrjet prodhuese” janë 22% e rasteve me pasoja fatale, ndërkohë që 14% e punëmarrësve me pasoja fatale rezultojnë në subjektet minerare.

Numër i konsiderueshëm i punëmarrësve të aksidentuar janë dhe rastet e subjekteve shtetërore ku numërohen 29 punëmarrës të aksidentuar nga të cilët 7 punëmarrës kanë rezultuar me pasoja fatale. Nisur nga shkaku i aksidenteve me pasojë vdekje: 28% e tyre kanë si shkak të aksidentit “rënien nga lartësia”; 12% moszbatimin e rregullores së sigurimit teknik; 9% rënien në kontakt me energjinë elektrike; 14% aksidente rrugore me pasojë vdekjen.

4 nga punëmarrësit e aksidentuar me shkak vdekje kanë rezultuar punëmarrës të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Gjithashtu kanë qenë pa kontratë individuale apo kolektive të nënshkruar. 2 nga aksidentet me pasojë vdekje nuk janë njoftuar në kohë nga subjektet, apo njoftimi nga ana e tyre ka munguar.

Janë 2 punëmarrëse femra të aksidentuara me pasojë vdekje, si shkak i aksidenteve rrugore. Të aksidentuarit me pasojë vdekje janë me shtetësi shqiptare, dhe kryesisht me pozicion pune punëtor, vagonist, vinçier, specialist ndërtimi, shofer etj. Në 36% të punëmarrësve me pasojë vdekje, aksidenti ka ndodhur 1 ditë deri në 1 vit nga fillimi i punës me punëdhënësin aktual, që do të thotë në punën aktuale.

Në 60% të inspektimeve me pasojë vdekje të punëmarrësve, inspektorët e punës kanë bashkëpunuar për hetimin administrativ të rastit me organet e Policisë apo/dhe Prokurorisë; me Autoritetin Kombëtar të Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera; me Inspektoratin Shtetëror Teknik Industrial; Spitalin dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. 77% e subjekteve ku kanë ndodhur aksidentet në punë me pasojë vdekje janë sanksionuar me dënim administrativ kryesor, ndërsa rastet për të cilat nuk është vendosur sanksion janë ato që nuk lidhen drejtpërdrejt me punën. Në çdo rast janë shoqëruar me detyra për realizim.

Në bazë të detyrave të lëna që përkojnë me gjetjet e konstatuara si shkelje, janë evidentuar: mungesa e një vlerësimi të risqeve, mospërdorimi i pajisjeve mbrojtëse individuale, moszbatimi i rregullave të sigurimit teknik, mungesa e pajisjeve mbrojtëse individuale, mungesa e informimit të punëmarrësve. Në total, rastet e aksidenteve të përsëritura përbëjnë 4.7% të subjekteve me raste aksidenti.

Punëmarrës të huaj (kompani të huaja me seli në Shqipëri) në Drejtoritë Rajonale të ISHP-së me numrin më të madh të aksidenteve rezultojnë Tirana, Durrësi, Dibra, Korça. Kjo mund të jetë e lidhur edhe me: përqendrimin më të madh të numrit të subjekteve që ushtrojnë aktivitet.

Për shembull, në Dibër, pasi aksidentet kryesisht janë regjistruar në minierën e Bulqizës. Aksidentet e përsëritura në të njëjtin subjekt ndër vite janë në ulje. Në vitin 2020 aksidentet e përsëritura përbëjnë 5.7% të rasteve të ndodhura. Në vitin 2019, aksidentet e përsëritura përbëjnë 7.8% të rasteve të ndodhura, kurse në vitin 2018, aksidentet e përsëritura përbëjnë 7.2% të rasteve.

Në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë gjatë inspektimeve të realizuara për këtë vit kemi: në 2700 subjekte ekziston dokumenti i vlerësimit të rrezikut, në 1464 subjekte nuk ekziston ky dokument dhe në 106 subjekte është i pjesshëm; në 932 subjekte ekzistojnë Këshillat e SSHP, në 113 subjekte rezultojnë se këto këshilla, edhe pse janë ngritur, nuk janë funksionale dhe në 2672 subjekte nuk ekzistojnë KSSHP-të; në 843 subjekte ekzistojnë përfaqësuesit e Këshillit të SSHP, në 4041 subjekte nuk ekzistojnë përfaqësuesit e KSSHP-ve; në 632 subjekte ekziston koordinatori për SSHP kur subjekti punon me nënkontraktorë, në 3550 subjekte ekziston shërbimi i ndihmës së parë, ku numri i punëmarrësve të certifikuar në këtë drejtim është 778; në 3813 subjekte ekzistojnë masat mbrojtëse kolektive, në 163 subjekte këto masa janë të pamjaftueshme dhe në 437 subjekte nuk ekzistojnë masat mbrojtëse kolektive;

Numri i subjekteve ku përdoren masat mbrojtëse individuale është 4136, numri i subjekteve, të cilat nuk përdorin pajisje mbrojtëse individuale është 293, dhe numri i subjekteve ku këto pajisje janë të pamjaftueshme është 73; Numri i punëmarrësve që punojnë me substanca të rrezikshme është 2551; Numri i punëmarrësve të diagnostikuar me sëmundje profesionale është 18;

Numri i mjekëve për periudhën janar-dhjetor 2020 është 1821, ku 165 mjekë janë me kohë të plotë dhe 1656 mjekë me kohë të pjesshme, ndërsa kontrolli periodik i punëmarrësve ekziston në 3314 subjekte, ku numri i punëmarrësve me kontroll mjekësor periodik është 36583.

/Monitor/

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...