HIDHET HAPI I PARË PËR TURIZËM TË INTEGRUAR SARANDË-FINIQ (VIDEO)

- Advertisement -

-Memorandum bashkëpunimi u nënshkruan sot nga kryetari i Bashkisë së Finiqit, z. Christos Kitsos dhe kryetari i bashkisë së Sarandës, z. Adrian Gurma, në prani të deputetit-mjekut, z. Niko Kuri, për të zbatuar dhe nxitur zhvillimin e integruar të turizmit.

Memorandumi u nënshkrua në bashkinë e Finiqit, në vendin arkeologjik të Finiqit të lashtë. Me nënshkrimin e memorandumit, ata bashkërisht ndërmarrin nisma dhe lëvizje të duhura institucionale, në mënyrë që turizmi të rritet pa kufij sezonalë dhe territorialë. Mbështetja e rritjes në fushat kyçe të ekonomisë, si në nivel vendor ashtu edhe në atë rajonal”, shkruhet në faqen e bashkisë.

Bashkia e Sarandës dhe ajo e Finiqit kanë vendosur të bëhen bashkë këtë verë, duke bashkuar ofertën turistike, të rrisin atraksionin dhe të rrisin ekonominë lokale në shërbim të turizmit. Kjo është zyrtarizuar me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, në mjediset e Bashkisë së Finiqit. Kryetari i kësaj Bashkie, Kristo Kiço e vlerësoi këtë si një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit me një Bashki si e Sarandës, me profil të qartë turistik, me kapacitete e eksperiencë të dobishme menaxheriale në turizëm. Nga ana e vet Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, tha se thelbi i këtij bashkëpunimi është që të kapërcehen si kufijtë sezonalë dhe ata territorialë dhe të japim të parët modelin e funksionimit të turizmit të integruar. Pasi është lexuar teksti i Memorandumit të Bashkëpunimit, në prani të stafeve të ngushta të dy Bashkive, të drejtorive respektive të Turizmit dhe mediave, është bërë nënshkrimi i dokumentit zyrtar për turizëm të integruar. Titullarët Kristo Kiço e Adrian Gurma iu përgjigjën interesit të gazetarëve për mënyrën e funksionimit të bashkëpunimit, për fazat nëpër të cilat ai do të ecë, për hapësirën që kanë bizneset në këtë proces, për përfshirjen në bashkëpunim edhe të Bashkive të tjera jugore fqinje, brenda e jashtë vendit etj. Ceremonia e nënshkrinit të Memorandumit të Bashkëpunimit mes Bashkisë së Finiqit dhe Sarandës, u mbyll me një guidë në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Finiqit. Memorandumi i Bashkëpunimit mes dy Bashkive, pritet t’i hapë rrugën një bashkëpunimi të orientuar dhe në fusha të përcaktuara mes dy njësive të qeverisjes vendore. Stafet e specialistëve në fushë të turizmit nga të dy Bashkitë, në javët në vazhdim do të përcaktojnë më specifikisht modalitetet dhe do të përpunojnë detajet e platformës, për të operuar si një njësi e vetme e komplementare qysh këtë verë. Fjala është për marrje përgjegjësish dhe për bashkim vullnetesh e kapacitetesh institucionale, që Saranda dhe Finiqi t’i ofrohen turistit si një ofertë e vetme, e diversifikuar dhe e pasuruar. Ky është një hap i parë dhe në vijim do të ftohen edhe Bashki të tjera, si: Delvina, Konispoli, Himara, Gjirokastra e Përmeti, që t’i bashkohen Memorandumit dhe idesë për të implementuar dhe nxitur zhvillimin e turizmit të integruar. Në një fazë të mëvonshme, në varësi të nivelit të unifikimit në shkallë të rajonit jugor, kjo ide do të gjejë partnerë edhe tek fqinjët tanë jashtë vendit, siç janë Korfuzi, Janina e Igumenica, ide kjo që u parashtrua dhe në parim u pranua edhe gjatë vizitës së delegacionit të bashkiakëve nga Korfuzi, fundjavën e kaluar.

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...