Nga sot, vaksina antiCOVID do të nisë të aplikohet te të gjithë grupmoshat plus 16 vjeç. Në mbledhjen e fundit, Komiteti Teknik i Ekspertëve mori vendimin për uljen e pragut moshor nga 18 vjeç në 16 vjeç, si edhe aplikimin e dozës përforcuese për grupmoshat mbi 60 vjeç.
Po ashtu, u vendos për vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç, të cilët kanë problematika shëndetësore që dobësojnë sistemin imunitar. Doza e rikujtesës apo doza e tretë do të aplikohet te të gjithë ata, të cilët kanë mbi 6 muaj që kanë injektuar dozën e dytë, duke nënkuptuar fashën e të vaksinuarve përgjatë 3 muajve të parë të vitit.
Lidhur me hapat që duhet të ndiqen, për personat që janë mbi 60 vjeç, për dozën përforcuese mund të paraqiten në pikat e vaksinimit me pasaportë vaksinimi, ndërsa për personat nën këtë moshë, që vuajnë nga sëmundje kronike apo malinje duhet që fillimisht të kontaktojnë me mjekun e familjes.
“Nëse plotëson kriteret mbi 60 vjeç, nuk ka nevojë për rekomandim; nëse je nën 60 vjeç, atëherë duhet nga mjeku në qoftë se hyn në listën e sëmundjeve, sëmundjet hematologjike, sëmundjen e imunosuprimuar apo kushtet shëndetësore që i vë në rrezik”, është bërë më herët e ditur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
/sarandalife.al/