Hajrie Rondo-Unë do bëhem aktore dhe nuk kthehem prapa.

- Advertisement -

Nga Thoma Nika

Intervistë e botuar në gazetën “Shqip” 20 mars 2006

Çfarë ndjen Hajria e kthyer në vendlindja dhe e nderuar prej saj?

-Emocioni është i fortë dhe i veçantë. Ndjehem një bijë e përkëdhelur prej qytetarëve të mi, ose kanakare, siç themi ne delvinjotët.

Çfarë mendon se i mungoi kësaj dite?

-Asgjë, të gjitha ishin të mrekullueshme: atmosfera, ngrohtësia, përzemërsia dhe mirësia e njerëzve, fjalët e ëmbla, të bukura në adresën time dhe të delvinjotëve, të thëna nga personalitete që Delvinës nuk i numërohen dot.

Në këtë ardhje në Delvinë u ngacmove ndopak për t’u kthyer pas në vitet e rinisë tënde këtu?

-Eh, rinia! Jo pa qëllim në preferencat e mia kam shënuar se nostalgjia është rinia. Ardhja e sotshme m’i solli pranë edhe shumë prej kujtimeve të saj që lidhen me Delvinën time.

Çfarë kujton nga starti i udhës artistike?

-Motivi i parë ishte Xheni. Unë nuk i kam ngjarë, kam ngjarë nga im atë, ai shkollën përkatëse nuk arriti ta bënte, por ishte artist i vërtetë, që imitonte dhe improvizonte në mënyrë të mrekullueshme. Nga traditat që ka Delvina si qytet kulturor dhe nga ajo mbresa që m’u krijua nga ekrani i madh i kinemasë së vogël të Delvinës, mbuluar me llamarinë, unë harrohesha pas artistëve të mëdhenj rusë. Dhe që atje mora një vendim: unë do bëhem aktore dhe nuk kthehem prapa.

Dhe si vazhdoi “ëndrra”?

-Ia dola të bëhem studente dhe diplomante e Institutit të Lartë të Arteve. Fillimisht u emërova në Gjirokastër, por unë isha e dashuruar dhe e fejuar në Fier dhe ky ishte “stacioni” im i përjetshëm.

U pranua lehtësisht në familjen ku shkove që nusja të ishte njeri i skenës?

-Me mua dhe bashkëshortin tim ka ndodhur mrekullia. Im shoq, Kiçua, ka qenë dhe volejbollist e trajner i këtij sporti e kjo mbase është edhe arësyeja që ne merreshim vesh shumë mirë me njeri-tjetrin, se bashkëjetesa e artit me sportin ka dhënë prova të panumërta.

Çfarë veçoni nga rruga juaj artistike 35-vjeçare në Teatrin e Fierit?

-Do të veçoja ngrohtësinë që më ka rezervuar spektatori, sikurse e ka thënë regjisori i madh Pëllumb Kulla që “Fieri Hajrien e ka mbajtur ngrohtë”. Veç kësaj, jam ndjerë mirë me partnerët e mi të skenës, që janë të gjithë të mrekullueshëm, duke nisur që nga Pëllumb Kulla, personaliteti që e krijoi dhe i dha portretin Teatrit dhe Estradës së Fierit, Luftar Pajën, Fuat Boçin, Todin, Fatmirin, Vasil Vason, Fatos Selën e shumë e shumë të tjerë.

Cilat janë disa nga rolet tuaja në skenën e Fierit?

-Ato që më kanë bërë më të njohur janë rolet që kanë lënë më shumë mbresa tek spektatori: Tana, që është kryeroli im, kurora ime, filmat “Nëntori i Dytë”, “Një emër midis njerëzve”, “Kush vdes më këmbë”, Ruzja tek “Gjëmimi i atij dimri”, “Baladë për një grua”, nëna e “Avni Rustemit”, Viktorina dhe role pa fund që kam me Ceken, tek telekomeditë…

Çfarë zë vend në axhentën tënde momentalisht?

-Sot gjendem në Delvinë, nesër në Fier, pasnesër në Himarë, pastaj në Tiranë me xhirime. Andej në Vlorë, në Shkodër, pastaj me një telekomedi me Ceken, më tej me Robert Ndrenikën, Roland Trebickën, Është një jetë me puls që ndjehet dhe më mban në kërkim e në krijim.

Ndjehesh e obliguar për ta ngritur edhe “piacën” artistike të Delvinës në krah të Fierit?

-Këtu plekset dëshira me detyrimin dhe përgjegjësinë dhe nuk do të mbetem pa bërë diçka. Për këtë më nxit jo vetëm nostalgjia për qytetin tim, por edhe vlerësimi i vyrtyteve të tilla që unë ua njoh mirë. Ata janë të mençëm, paqësorë, punëtorë, me humor plot.

Përveç vetes skenës po i jep edhe vazhdimin tënd, vajzën tënde?

-Po, edhe kjo më mbush me gëzim e sadisfaksion. Djali i talentuar i Luftar Pajës dhe vajza ime duket se do të jenë vazhdimi ynë dhe njëherësh “mohimi” ynë, sepse jam plot shpresë se duke i përkitur një brezi dhe një kohe që vjen pas, do të bëjnë shumë më përpara se ne.

Bisedoi Thoma Nika

VLERESIME TE KOLEGEVE DHE MIQVE

Luftar Paja, Artist i Popullit:

Delvina ka nxjerrë një figurë të shuar si Hajrie Rondo, që ngre jo vetëm vlerat artistike të Delvinës, Fierit dhe Shqipërisë, por ajo është e përmasave ndërkombë-tare, se i ka kapërcyer kufijtë me figurat e shquara të saj, siç është “Përrallë nga e kaluara” etj. Këtu shikohet vetëm një pjesëz e jetës skenike 35-vjeçare të Hajries, se dhe mundësitë e sallës këto janë. Kam pasur nderin të debutoj me Hajrien, por po kaq vlerësoj dhe bashkëshortin e saj, Kiço Rondon, se i thonë një fjale “E di xha Jani çfarë ka trasta brenda”. Kiçua di ç’ka hequr këto 35 vjet me Hajrien, gjithmonë për të mirë. Hajria me atë sakrificën e saj, i ka rritur edhe nëpër autobusat që shkonim nëpër turnera ata fëmijë. Hajria me mundin e saj po rrit dhe selit një artiste tjetër, vajzën e saj, e cila është një talent premtues. Si këtë 35-vjetor, uroj të na mbledhë dhe në 100-vjetorin e krijimtarisë së saj.

Fuat Boçi: Vlerat e një qyteti nuk varen nga sipërfaqja apo nga popullsia, por nga pikat dhe ma-jat e larta që ka dhe një majë e tillë është për Delvinën Hajrie Rondo. Uroj të bëhet një gjyshe e madhe, shumë e madhe.

Petro Koçi: Hajrie Rondo dhe Panajot Pano janë pjesë e një sfide të vazhdueshme, kombëtare dhe individuale, sfida për të qenë qytetar. Ne që të gjithë përpiqemi në mënyra të ndryshme që nesër kombi shqiptar të jetë qytetar i denjë i bashkësisë europiane, gjë që nuk mund të realizohet në se secili prej nesh nuk bëhet qytetar europian. Disa e kanë arritur dhe përballuar sfidën. Një nga këto, përpara nesh, është Hajrie Veizi, kjo zonjë e madhe e ekranit dhe e skenës, që nderon Delvinën dhe qytetin tim të Fierit. I jemi mirënjohës që ka punuar bashkë me ne. I uroj të mbetet një zonjë e freskët.

Fran Ukcama, drejtor i kulturës në bashkinë e Fierit: Hajrie Rondo është gjethe e dafinës në kurorën e artit, është sot një manushaqe marsi. Shoh se në Delvinë e nderon qytetaria, e nderon sokaku, rrugica ku hodhi hapat e parë

Enver Isufi, krijues nga Delvina: Sa herë e kam takuar gjatë këtyre viteve, kam parë një Hajrie të shqetësuar dhe të merakosur për artin, për teatrin, rolet dhe dramaturgjinë. Gjatë këtyre tri dekadave e gjysmë ajo ka jetuar më tepër në skenë, në studio, në sheshet e xhirimit se sa në shtëpinë e saj. Ajo sapo ka kaluar të 55 –at, por unë do ta uroja që dhe pjesën tjetër të jetës ta kalonte po ashtu, në skenë dhe në ekran.

Jasin Berberi, ish-mësues në Delvinë: E mbaj mend Hajrien një nxënëse të qeshur, të dashur dhe shumë e mirë në mësime. Duke përgatitur muzeun e shkollës, më ra në dorë fotografia e saj e vendosur në tabelën e nderit të shkollës. E mbajta dhe e solla me vete. Është vetëm 15 vjeçe në këtë fotografi dhe do të dëshiroja t’i mungente albumit të kujtimeve të saj të fëmijërisë.

Ëngjëllush Serjani, kryetar i shoqatës së gazetarëve të jugut: Artistëve në mënyrë të veçantë u qëllon të bredhin botën dhe yjeve të marrin edhe çmime Oscar. Por vlerësimi që të bën vend-lindja është më i vërteti dhe më emocionuesi. Kështu ndodhi edhe me Hajrie Rondon në Delvinë.

Thoma Nika

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...