Leja e re e qarkullimit është e pajisur me elemente shtesë sigurie që shmangin abuzimet, dhe me marrjen e saj nuk do të jetë më e nevojshme marrja e një lejeje ndërkombëtare qarkullimi.
Kështu u shpreh sot drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja, i cili ishte i ftuar në një studio televizive për të folur rreth këtyre dokumenteve të reja dhe risive që ato sjellin.
Gonxhe sqaroi se “synimi i këtyre ndryshimeve ishte që të unifikoheshim me Bashkimin Europian dhe të jemi gati për automotorizimin për sa i përket lejeve të automjetit”.
“Ky dokument ka të dhëna të reja të cilat nuk ishin në lejen e mëparshme. Kemi kode të automjetit të cilat, për shkak të shërbimit të kolaudimit që është përsëri në DPSHTRR, i duhen kolaudimit për të parë në mënyrë të menjëhershme me anë të dokumentit dhe sistemit, nëse ky mjet është për këtë afat apo këtë afat. Ka pasur shumë probleme me mjetet që duke mos pasur këtë kod në lejen e qarkullimit, krijonin vështirësi në shërbime të tjera. Abuzohej me afatet, abuzohej me kategorinë e mjetit, të dhënat për mjetin dhe këto pastaj përcjellin probleme”, tha ai.
Drejtori i DPSHTRR-së tha se “aktualisht, po punohet prej një viti për korrigjimin e të dhënave për mbi 500 mijë mjete edhe me sistemin e ri”.Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Publik ka njoftuar ulje të tarifave të rinovimit të lejeve të qarkullimit me afat deri në 5-vjeçar./ATSH/