“Babëzi e pandalshme, nuk kursen as jetimët”, Çumani denoncon tjetërsimin e pronës:

SHPRESA DINE/ Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani, e cilëson të papranueshme tentativën për privatizim e Qendrës së Pushimit të Shtëpisë së Fëmijëve në Borsh.
Ai thotë se institucione të tilla duhet të ruhen, të mirëmbahen dhe të miradministrohen nga shteti, pasi janë një pasuri publike në ndihmë të jetimëve. Me to nuk mund të bëhet biznes. Në këtë intervistë, ai sqaron se ka kohë që ndihet i shqetësuar dhe hera-herës, ka bërë ankesa në institucionet kryesore në vend për të ndalur procesin e privatizimit.
Ish-Kampi i Pushimit të Shtëpisë së Fëmijëve në Borsh përbëhet nga një kompleks i gjerë godinash shumë të bukura, rrethuar nga ullinj e portokaj që shtrihej në një sipërfaqe rreth 4 mijë m2 dhe që ka pasur vetëm një funksion: Shtëpi Pushimi dhe argëtimi për Fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve në Sarandë.
Në çdo sezon veror, fëmijët jetimë të Shtëpisë së Fëmijëve në Sarandës, të shoqëruar nga edukatoret dhe kujdestarët e tyre, për rreth dy-tre muaj vinin këtu, pranë detit, për pushime. Sot, ndërtesa ndodhet në një gjendje mjerane e në degradim të plotë. Gëzimit të atyre fëmijëve të pafajshëm e pa familje, por që bashkëjetuan në atë kohë paqësisht me njëri–tjetrin në këtë vend të mrekullueshëm, pranë detit Jon, tashmë u ka mbetur si një vegim thjesht dhe vetëm një kujtim i bukur.
Çdo gjë shfaqet si një mirazh, por që sot mjerisht duket se është venitur përballë një të shkuare jo shumë të largët, sepse gjithçka ka mbetur vetëm në memorien e një pjese të historisë së vendit tonë, e fiksuar edhe në celuloidin e këtyre imazheve. Në Borsh, pikërisht në vendin ku ka qenë ngritur edhe ishKampi i Fëmijëve Jetimë, rastësisht apo domosdoshmërish, u takuam edhe me z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, i cili, në heshtje dhe i menduar, i ra kryq e tërthor të gjithë hapësirës ku dikur ngrihej ish–kampi i fëmijëve jetimë, e sot është kthyer në një gjendje mjerane, në një karakatinë….
Çfarë ju sjell në kujtimet tuaja ky vend, këtu ku jeni duke e ndjekur me këmbë dhe vështrimi i menduar…!?
Në këtë vend ku ndodhemi tani, ka qenë ish–kampi i pushimit të Shtëpisë së Fëmijëve Jetimë të Sarandës. Kjo tokë, ku në fillim të viteve ‘70–të është ndërtuar ky objekt i rëndësishëm social, ka qenë pronë shtetërore, sepse në Shkallë të Borshit (me aq sa unë mbaj mend), nuk ka pasur shtëpi banimi buzë detit. Madje, ato kanë fare të pakta, ku tek–tuk jetonin disa familje. Dikush mund të mendojë se edhe në këtë vend, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, mund të ketë pasur pronarë, që për mua, nëse janë ata që e posedojnë dhe e shfrytëzojnë aktualisht këtë pasuri, s’janë gjë tjetër veçse pseudo-pronarë, ngase ky vend po të ishte se kishte pronar, assesi nuk do të mbetej prej 32– vjetësh kështu i braktisur dhe i rrënuar si mall pa zot.
Por, siç po vihet re, tash këtë objekt e ka vënë në dorë një prej sipërmarrësve dhe sipas informacionit paraprak që kam, ai ka paguar një vlerë qesharake prej 6.7 milionë lekësh për ta privatizuar gjithë këtë pasuri të madhe. Çuditërisht, deri më tani ende nuk është bërë asnjë investim, veçse është hapur një lokal fare modest mbi rrënojat e një shkatërrimi barbar… Me sa duket, gjuetarët e pronave janë duke e vëzhguar mirë situatën nëse do të ketë diku një reagim për këtë zhvatje që është bërë. Më besoni, në këto çaste ndiej një zhgënjim e dhimbje të madhe njëkohësisht, si në planin personal, ashtu edhe në planin njerëzor dhe institucional, për shkak të pozicionin që kam. Ju them me shumë emocion se dikur edhe unë kam qenë një ishfëmijë i rritur jetim, që kam jetuar këtu muajt e verës prej vitesh me radhë …
Ashtu si çdo bashkëmoshatar i brezit tim, me këtë vend ku ndodhet ky objekt i veçantë më lidhin shumë çaste dhe episode të fëmijërisë. Ruaj shumë kujtime të bukura që edhe tani po më shfaqen si vegime magjepsëse… Është e paimagjinueshme, pothuajse një monstruozitet dhe maskaradë e pakuptimtë kjo panoramë e shëmtuar dhe kjo barbari e pandalshme që e ka emrin babëzi, ku individë sipërmarrës nga bota e biznesit, me “bekimin” e shtetarëve të djeshëm dhe të sotëm guxojnë dhe arrijnë të zaptojnë gjithë këtë aset publik të jetimëve… Po përdorin të gjitha mjetet që ta blejnë me anë të metodave korruptive për “1 copë bukë”, një kompleks gjigant prej 4.000 M2, që është i vetmi kompleks kombëtar i kreativitetit, argëtimit dhe e çlodhjes, i dedikuar enkas për fëmijët jetimë në Shqipëri.
Çfarë mendoni të bëni? Besoni se do të ketë zgjidhje në favor të fëmijëve jetimë?
Këtu do të nisë e gjithë beteja ligjore dhe institucionale për dinjitet dhe drejtësi, për të vënë çdo gjë në vendin e vet dhe haku të shkojë tek ata fëmijë të pambrojtur e të pazë… Ky objekt ka qenë dhe duhet të jetë një aset i patjetërsueshëm publik, dedikuar fëmijëve jetimë, duan apo nuk duan këta qafirë të pa fe e të panginjur së pasuruari, që guxojnë e vënë dorë edhe mbi jetimët.
Është një kambanë alarmi për të gjitha institucionet përgjegjëse e ligjzbatuese, së pari për organet e hetimit dhe kryesisht për SPAK – un, që duhet të nis dhe të hetoj në themel të gjitha veprimet dhe mosveprimet e procedurave që janë ndjekur deri tani me shkresa e dokumente të sajuara përmes gjykatave dhe kanë krijuar terrenin e përshtatshëm duke e abandonuar dhe e degraduar në rrënoja këtë pasuri të jetimëve, me qëllim të caktuar, grabitjen me çdo kusht të kësaj qendre pushimi të fëmijëve jetimë, objekt i cili shtrihet në një nga pikat më domethënëse turistike, këtu buzë detit, në Shkallë të fshatit Borsh, me një sipërfaqe hapësirë plot 4 mijë m2.
Qëllimi i këtij veprimi të paskrupullt i këtyre parellinjve sipërmarrës nga bota e biznesit, të cilët janë të lidhur edhe me individë të veshur me pushtet, është për ta gllabëruar tërësisht dhe përfundimisht njëherë e mirë këtë pasuri, përmes privatizimeve me vlera qesharake. Ajo që e bën edhe më cinike deri në vanitet drithërues këtë histori, është fakti se në kohën e socializmit, sistemi i kaluar mendonte seriozisht në mënyrë institucionale për fëmijët jetimë.
Veç të gjithave atributeve, shteti asokohe u siguronte edhe ngritjen e qendrave të tilla multifunksionale që synonin edukimin, mirërritjen, argëtimin, çlodhjen e kreativitetin për këta fëmijë, siç kanë qenë kampet si kjo e Borshit, Velipojës, Golemit, Voskopojës, Vlorës, në Lezhë e gjetkë… Ndërsa në periudhën e pas viteve ‘90- të, fëmijëve dhe të rinjve jetimë dhe atyre pa kujdesin prindëror, jo vetëm që u janë mohuar shumë nga atributet elementare për të bërë një jetë krejt normale e të dinjitetshme në vendin e tyre (me të gjitha të drejtat e plota dhe të barabarta me pjesën tjetër të shëndoshë të shoqërisë), por, me paturpësinë më të madhe po u grabiten në forma okulte dhe të shëmtuara, korruptive e mafioze edhe ato pak asete të ligjshme, të trashëguara me dekada ndër breza fëmijësh….
Në këto momente, pyetja që më vjen në mend është: si mundet në një vend demokratik, ku ekzistojnë mundësitë e mëdha për zhvillimin, mbrojtjen dhe fuqizimin e programeve sociale në favor të shtresave të margjinalizuara e në nevojë, shteti të heshtë dhe të bëjë të paditurin përballë këtij krimi të shëmtuar social…!? Ka një përvojë dhe praktikë botërore në çdo vend të botës së lirë demokratike e të civilizuar që, institucionet dhe objektet e tilla kaq specifike janë të shenjta. Ato janë dhe mbeten gjithmonë të pacenueshme, të paprekshme edhe në ato raste nëse toka apo trualli ku shtrihet i gjithë ky kompleks social do të pretendohej se ka pronar…
Në situata të tilla, kur diskutohen çështje të tilla me karakter kaq sensitiv, në çdo rast prevalon interesi i lartë publik; pra, interesi më i lartë, më i shenjtë dhe më fisnik që lidhet me jetën, shëndetin, mirëqenien dhe begatinë e fëmijëve, lidhet me humanizmin në rastin konkret. Kaq e thjeshtë dhe e qartë është e gjitha kjo që po them. Ndaj, nuk ka vend aspak për ekuivok. Nëse institucionet përgjegjëse shtetërore do të gjykonin vërtet kështu me një mendje të kthjellët e me arsyetim logjik të ftohtë, atëherë gjithmonë dhe në çdo moment shteti ngrihet në lartësinë e përgjegjësive që ka dhe merr përsipër të bëhet interpret fanatik i interesit publik, një avokat i mbrojtjes të më të dobëtëve, qoftë edhe duke marrë përsipër koston e dëmshpërblimit apo edhe të kompensimit, sipas ligjeve në fuqi.
Këtu qëndron serioziteti ku duket qartazi imazhi i keq apo i mirë i një shteti të përgjegjshëm ose jo. Në këto raste shfaqet hapur dhe para të gjithëve në një sfond social autoriteti dhe serioziteti i një vendi demokratik ku sundon vetëm ligji, pikërisht atëherë kur shteti tregon në këto raste fuqinë dhe potencialin moral dhe human të shoqërisë, përmes përgjegjësisë maksimale në mbrojtje të shtresave të pambrojtura dhe atyre në nevojë. Në çdo vend të botës demokratike, përballë interesit personal të cilitdo, gjithmonë ka përparësi dhe duhet të prevalojë interesi publik. Këto janë ekuacione dhe rregulla që i mbajnë të forta e në harmoni të plotë të gjitha kolonat dhe themelet e ekuilibrave të kohezionit social, të bashkëjetesës komunitare në një shoqërie të shëndoshë, moderne dhe funksionale.
Me një fjalë, këto objekte specifike janë dhe duhet të konsiderohen të shenjta. Ato janë të patjetërsueshme nga destinacioni për të cilin janë dedikuar…
Personalisht, angazhohem në emër të gjithë atyre fëmijëve të pambrojtur e papërkrahje, në emër të shumë padrejtësive që kanë ndodhur dhe po ndodhin në kurrizin e tyre, të kujtimeve dhe shumë gjërave që na lidhin në të shkuarën me këtë qendër, se, shumë shpejt do të nisim një betejë ligjore e mediatike që ka të bëjë edhe me dinjitetin e shtresës më të prekur dhe më të ekspozuar të shoqërisë. Kjo qendër duhet t’u rikthehet e plotë fëmijëve jetimë, ashtu siç ka qenë në fillim të herës.
Ftoj Presidentin e Republikës, Kryetaren e Kuvendit, Kryeministrin e Shqipërisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Komisionin Parlamentar për krimin dhe Antikorrupsionin, SPAK-un, Avokatin e Popullit, Trupin Diplomatik të akredituar në vendin tonë, të gjithë median edhe Shoqërinë Civile, që, së bashku me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë të nisim një investigim mbi këtë skandal të pastër korruptiv, që është një krim i shëmtuar social në kurriz të fëmijëve jetimë. E përsëris: kjo pronë është aset i fëmijëve jetimë dhe me çdo kusht duhet t’u rikthehet atyre, mbase edhe më e bukur se çka qenë.
Projekti i qeverisë shqiptare për urbanizimin e fshatrave në bashkëpunim edhe me i Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, duhet të synojë rikthimin në identitet edhe të kësaj qendre multifunksionale e kreative, me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e nevojshme që ka, me synimin për të rikthyer traditën shumë të bukur që kemi pasur nga e kaluara. Është detyrë dhe sfidë morale e një shteti ligjor me profil human për të jetësuar në këtë vend një qendër kombëtare sociale multifunksionale të kreativitetit bashkëkohor, për edukimin, argëtimin, mirëqenien dhe çlodhjen për të gjithë fëmijët jetimë nga e gjithë Shqipëria, me synimin e vetëm që edhe ata, si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre të mund të pushojnë dhe të argëtohen në muajt e verës.
Në të kundërt, kemi gjithë të drejtën e Zotit të besojmë se gjithmonë e më shumë po jetojmë në acarin e një Shqipërie më pak të dhembshur, më pak solidare dhe aspak empatike. Me një fjalë, jetojmë në një shoqëri të dehumanizuar, pa ideale dhe aspirata edhe për shkak të politikave ekstremiste që përdor një pushtet korruptiv, i cili aplikon prej afro një dekade një forcë politike, e cila pretendon se përfaqëson doktrinën e majtë, por që në fakt, radikalizimi i aksionit politik që ka ndjekur deri më tani, na ka shpalosur në sytë tanë dy Shqipëri: atë virtuale (përmes një industrie të frikshme të propagandës), dhe nga ana tjetër, një Shqipëri kryesisht jetime…. Së fundi, apeli im është për të gjithë ata që kanë projektuar dhe iniciuar grabitjen e këtij aseti të çmuar të fëmijëve jetimë që ta ndalin këtu vrapin e tyre.
Të mos vazhdojnë më tutje as edhe një hap, pasi do të përballen me të gjitha pasojat ligjore që do të rrjedhin nga ky veprim i paligjshëm dhe kriminal, përmes një reagimi të pashembullt institucional, publik dhe qytetar. Gjithashtu, u kujtoj atyre që kanë guxuar dhe do të vazhdojnë ende të guxojnë në përpjekjen e paskrupullt për të grabitur këtë objekt specifik, se edhe me Bibël, edhe me Kur’An, predikohet fakti se vënia dorë mbi gjënë e jetimit konsiderohet nga Zoti një nga mëkatet dhe krimet më të rënda, që ndëshkohet në mënyrën më të ashpër dhe më shembullore, për cilindo që e kryen këtë vepër të shëmtuar në dëm të tyre. Kush ka sy e vesh, të shikojë dhe të dëgjojë. Ndryshe, të gjithë do të jemi fajtorë përballë këtij akti të turpshëm dhe kriminal që po kryhet në sy të të gjithëve, ditën me diell.
+2

Shperndaje artikullin

Postimet e fundit

Më shumë si ky artikull
Të ngjashme

Reagojnë administratorët pas një proteste…(Video)

Nga Shpresa Dine Pas protestës së shitësve të mishit paraditen...

Shitësit e mishit në protestë për mosfunksionimin e thertores (Video)

Nga Shpresa Dine SARANDE/ Shitës të mishit në Sarandë janë...

Pak fjalë për të madhin Thoma Gjonin.(Video)

Nga Shpresa Dine Thomai ka qënë dhe mbetet një nga...

Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç(Video)

Nga Shpresa Dine Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e...