Shpresë për rinovimin e bandës Në nëntor të 2021 sarandalife postoi një material me titull “Banda frymore e Sarandës drejt plakjes”. Pak ditë më pas do të ishte vetë Kryetari i Bashkisë Sarandë z. Adrian Gurma, i cili u prononcua rreth këtij problemi sa i ndjeshëm aq edhe i domosdoshëm në jetën e qytetit duke theksuar se në 2022 do të fillojnë regjistrimet për bandën frymore me elementë të rinj. Dhe vërtet kjo ndodhi.

Këto ditë në Qëndrën Kulturore të Fëmijëve, filloi regjistrimi i elementëve të rinj, për Bandën e qytetit. Të regjistruarit, mbi 20, ishin fëmijë djem dhe vajza, nga klasat e V, VI, dhe VII. Në këtë kuadër një juri e përbërë nga muzikantë dhe istrumentistë profesionistë i testuan ata për njohuritë dhe veshin muzikor të kandidatëve. Bashkia ka në plan që gjatë këtij viti të sigurojë bazën materiale të nevojshme, për të vazhduar me sukses ky aktivitet.

Do të ishtë në të mirën e komunitetit, që Bashkia të interesohej edhe për hapjen e kurseve të reja për fëmijët sipas njoftimit të bërë publike nga vetë Bashkia Sarandë.

Në kuadër të projektit të Bashkisë, për përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në bandën frymore të qytetit, në mjediset e QKF, kanë filluar audicionet dhe leksionet e para, nga instruktorët tanë. Eja edhe ti! Fillimi i mbarë, gjysma e punës!

